Rritja e pensioneve, Kurti: E dimë që jemi larg mirëqenies, por duam të ndihmojmë shtresat sociale

Prishtinë | 13 Jan 2022 | 17:32 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar vendimin për rritjen e pensioneve, duke thënë se po synojnë që të ndihmojnë shtresat sociale që kanë më së shumti nevojë.

Kurti ka pohuar se me vendimin që kanë marrë në mbledhjen e Qeverisë, pensioni bazik, pensioni familjar dhe ai invalidor i punës janë rritur për 11%, kurse pensioni i aftësisë së kufizuar për 33%.

“Me vendimin e djeshëm të Qeverisë janë rritur pensionet ashtu që të mos kemi asnjë të tillë nën 100 euro. Kësisoj, pensioni bazik, pensioni familjar dhe ai invalidor i punës janë rritur për 11%, kurse pensioni i aftësisë së kufizuar për 33%. E dimë që jemi larg mirëqenies por duam që me rritjen aktuale ekonomike të ndihmojmë shtresat sociale që kanë më së shumti nevojë”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka shtuar tutje se këtë vit planifikojnë të fillojnë edhe reformën e sistemit pensional.

“Këtë vit planifikojmë të fillojmë edhe reformën e sistemit pensional, që të sigurojmë sistem të drejtë dhe pension të dinjitetshëm për secilin pensionist që ka dhënë kontribut për vendin tonë’, ka shkruar kryeministri në profilin e tij në Facebook.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur ditën e mërkurë, ka marrë vendim për rritjen e shumës së përfitimit të skemave pensionale të financuara nga shteti nga shumat aktuale në shumën prej njëqind (100) euro, për pensionet bazike; pensionet e aftësisë së kufizuar; pensionet familjare; dhe pensionet invalidore të punës. Me miratimin e këtij vendimi, në Kosovë nuk do të ketë më pensione nën shumën prej 100 eurove. 

Të ngjashme