Rrusta nga PSD: Arrestimi i aktivistit tonë është i pashembullt

Prishtinë | 01 Shk 2022 | 18:09 | Nga Ekonomia Online

Aktivistja e Partisë Socialdemokrate, Teutë Rrusta, ka komentuar arrestimin e aktivistit tjetër të kësaj partie, Adem Mexhuani.

Rrusta, arrestimin e Mexhuanit e ka quajtur si të pashembullt deri më tani, pasi sipas saj, arrestimi i tij nuk përmbush asnjërin nga kushtet që parashihet në Kodin e Procedurës Penale.

“Në Kodin e Procedurës Penale që të ndalin në polici duhet që të kesh rrezik për arratisje, rrezik për falsifikim ose fshehje të provave, dhe nëse ti tregon shenja personale për përsëritje”.

“Aktivisti në fjalë nuk e përmbush asnjënjërën prej këtyre kritereve dhe cila është logjika që të ndalet dikush që ka shkuar në polici për rastin që ai ndjehet i pafajshëm”, ka thënë Rrusta në “Info Magazine” në Klan Kosova.

Më tej, ajo ka komentuar edhe rastin e kryetarit të kësaj partie, Dardan Molliqaj, ku shihet duke e goditur me shuplakë një polic në protestën e 29 janarit kundër shtrenjtimit të energjisë.

Rrusta tha policia ka qenë e barrikaduar, e dhunshme dhe ofenduese ndaj burrave dhe grave në protestë, teksa shtoi se nëse shihen të gjitha videot e paedituara, dhuna e policisë në protestë, sipas saj, vije nga lartë, e jo nga poshtë.

“Nëse i shihni videot e paedituara, duhet kuptuar se ajo dhunë e policisë, megjithatë është shkaktuar nga lartë, jo nga poshtë”.

“Policia e ka zënë hapësirën ku qytetarët po protestonin kundër shtrenjtimit të energjisë, pra ata ishin të nervozuar me situatën e krijuar dhe policia ishte e barrikaduar aty”.

“Policia ka qenë e barrikaduar, e dhunshme, ofenduese ndaj burrave dhe grave në protestë dhe ka shkaktuar reagim, kështu që s’bën të shkëptuet i gjithë ai tension prej kontekstit që është shkaktuar aty”, ka thënë Rrusta

Të ngjashme