Rugova: Është herët të kërkohet dorëheqja e Isa Mustafës

Prishtinë | 13 Qer 2017 | 15:21 | Nga

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova ka thënë se është herët të kërkohet dorëheqja e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa pas humbjes në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Rugova ka thënë për lajmi.net se LDK do t’i diskutojë rezultatet dhe jorezultatet pasi të certifikohen rezultatet nga KQZ.

“Pas certifikimit të zgjedhjeve nga KQZ-ja, çdo parti ulet dhe diskuton rezultate dhe jorezultatet… Nuk mund të jap dorëheqje tash në asnjë mënyrë. Është e palejueshme të jap një dorëheqje të tillë për një arsye. Gjithashtu nuk është korrekte të kërkohet menjëherë dorëheqje e tillë derisa nuk verifikohen të gjitha. Kur të shpallen zyrtarisht rezultatet e zgjedhjeve ulet partia dhe diskuton”, ka deklaruar Rugova.

Kurse, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa një ditë pas zgjedhjeve përmes një shkrimi në llogarinë e tij në “Facebook” ka thënë se në ditët në vijim do të analizojnë rezultatet dhe do të reflektojnë, duke mos treguar saktësisht se çka nënkupton me reflektim.

“LDK në ditët në vijim do të analizojë dhe vlerësojë rezultatet e zgjedhjeve dhe do të reflektojmë në interes të anëtarësisë dhe të qytetarëve. Vendimin do ta marrim edhe me deputetët pas certifikimit të rezultateve si dhe me partnerët e koalicionit”, ka shkruar Mustafa.

Përndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 11 qershorit ka garuar si pjesë e koalicionit me Aleancën Kosova e re, ndërsa ka dalë e treta në zgjedhje me 25.7%, pas koalicionit PDK-AAK-Nisma me rreth 33.9% dhe Vetëvendosjes me 27.1%.

Numrimi i votave ende nuk ka përfunduar, ndërsa rezultatet zyrtare pritet të publikohen pas rreth një jave.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme