Rusia tha se Kosova po dërgon ushtarë mercenarë në Ukrainë, reagojnë nga presidenca

Prishtinë | 18 Shk 2022 | 19:39 | Nga Ekonomia Online

Nga Zyra e Presidencës e kanë konsideruar si pjesë e fushatës dezinformuese dhe e kanë vlerësuar si të rremë deklarimin e ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov. Ky i fundit tha se Kosova po dërgon trupa mercenarë në Ukrainë.

Shefi i kabinetit të Presidencës, Blerim Vela, ka thënë se Kosova vazhdon të mbështesë aletatët e saj, përfshirë Ukrainën, në mbrojtje të të drejtave të lirisë e demokracisë.

“Akuza e rreme e Ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Lavrov, se #Kosova po dërgon mercenarë në Donbass, është pjesë përbërëse e fushatës dezinformuese që kërkon të justifikojë agresionin ushtarak kundër #Ukrainës. Kosova përkrah aleatët e saj dhe Ukrainën në mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë”, thuhet në postimin e Velës në ‘Twitter’.

Agjencia e lajmeve me bazë në Moskë, Russia Today, citoi Lavrovin të premten të ketë thënë se ata po punojnë për të verifikuar informacionin për “mercenarët” nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnja që kinse po dërgohen në Ukrainë.

“Kosova dhe disa pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor po bëhen vatër krimi. Ka terroristë, tregtarë droge. Mercenarët rekrutohen atje për konflikte ushtarake të ndezura nga SHBA”, deklaroi Lavrov.

“Ka informacione se militantë nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina po rekrutohen për të rrëzuar Rusinë jashtë ekuilibrit, që përfshin dërgimin e tyre në Donbass [në Ukrainën lindore],” shtoi ai.

Përfaqësues të të gjitha shteteve të lartcekura e kanë mohuar një gjë të tillë, madje disa janë tallur me pretendimet e Lavrov.

“Ne do të inicojmë hetim zyrtar në ambasadën ruse në Sarajevë për këtë deklaratë. Nëse Lavrov ka disa informacione për aktivitete të tilla në Bosnje, shpresoj që, përpara se t’i zbulojë ato, t’i ndajë ato me shërbimet tona të sigurisë, “tha me ironi të premten Bisera Turkoviq, Ministre e Jashtme boshnjake.

Të ngjashme