Sadiku për aplikimin në KE: Përjashtimi i Rusisë, mundësi e artë për Kosovën – kërkohen 2/3 e votave

Prishtinë | 12 Maj 2022 | 14:41 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Republika e Kosovës e ka mundësinë e artë për tu bërë anëtare e Këshillit të Europës, pas përjashtimit të Rusisë në kjo organizatë ndërkombëtare. Kështu vlerëson njohësi i proceseve integruese, Arbnor Sadiku, raporton Ekonomia Online

Ai thotë se Kosova duhet ta rrisë volumin e lobimeve në të gjitha shtetet e fuqishme, e sidomos te ato mosnjohëse.

Sadiku për Ekonomia Online thotë se krahas largimit të Rusisë, ndihmë të madhe mund t’i japin edhe shtetet mike.

“Kjo është një mundësi e mirë dhe është mundësia më e artë e Kosovës që mund të jetë aktualisht për anëtarësimin në ndonjërën prej organizatave ndërkombëtare dhe pas aplikimeve të më hershme në organizata të tjera siç ka qenë UNESCO dhe të tjerat mendoj që Kosova ka bërë mirë. Duke pasur parasysh dëmin që i’u ka shkaktuar Rusisë dhe disa vendeve të tjera që kanë pasur një fuqi brenda Këshillit të Evropës kjo do të jetë një mundësi e artë. Po pas aplikimit Kosova duhet ta shtrijë rrjetin e diplomacisë së saj në lobimin për marrjen e votave në anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Veçanërisht tek shtetet siç janë SHBA, Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, këto janë shtetet kryesore që mund të ndikojnë për marrjen e votave për anëtarësim në Këshillin e Evropës nga ana e Kosovës”, thotë Sadiku.

Por cilat janë procedurat për tu bërë anëtare e KE-së, Sadiku shpjegon në detaje këtë proces. Ai thotë se në momentin që Kosova aplikon në këtë organizatë, duhet t’i ketë së paku 2/3 votave të shteteve anëtare.

“Kosova në momentin që aplikon duhet t’i ketë së paku 2/3 e 46 vendeve anëtare që janë pjesë e Këshillit të Evropës dhe nëse votojnë 2/3 e shteteve pro anëtarësimit të Kosovës, Kosova mund të jetë anëtare me të drejta të plota e Këshillit të Evropës. E cila është një organizatë që promovon sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe promovimin e vlerave demokratike në gjithë Evropën dhe botë. Gjasat janë shumë të mira për vetë faktin që Kosova tani më siç e dini ka aplikuar në momentin e duhur”, tha tutje Sadiku.

Teksa ka folur për mundësinë që e ka Kosova, Sadiku përmend mundësinë që e kanë SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Gjermania për të lobuar për Kosovën.

Ai kërkon që lobimi të bëhet edhe për të aplikuar edhe në organizatat tjera ndërkkombëtare.  

“E dimë që Rusia nuk është anëtare e Këshillit të Evropës dhe ka pozicionin e saj gjeopolitik shumë të dëmtuar për shkak të agresionit që i ka shkaktuar Ukrainës. Mundësia e Rusisë për të lobuar është shumë e vogël në disa shtete demokratike dhe në anën tjetër mundësia është shumë e madhe e aleatëve të Kosovës siç është SHBA dhe vendet si Britania e Madhe dhe shtetet kryesore të BE, Gjermania dhe Franca për të lobuar që Kosova të jetë anëtare me drejta të plota e Këshillit të Evropës e cila është organizata më e vjetër në Bashkimin Evropian dhe si e tillë do të ishte një hap i mrekullueshëm që Kosova ta bëjë anëtarësimin në organizatën e parë të Unionit Evropian”, tha ai.

Sadiku shtoi se pas aplikimit, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla që ka bërë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës do të rris volumin e lobimeve nëpër gjithë shtetet  e fuqishme Evropiane dhe aleatit kryesor të Kosovës, SHBA-së.

Të ngjashme