Sadiku: Vizita e Palmer dhe Lajçak, sinjal se BE dhe SHBA kanë unifikim qëndrimesh për dialogun

Prishtinë | 31 Maj 2021 | 18:17 | Nga Ekonomia Online

Studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arbnor Sadiku, e konsideron si shumë të rëndësishme për Kosovën vizitën dyditore të Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Matthew Palmer dhe i Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Sadiku thotë se vizita të tilla kanë për qëllim përcjelljen e disa mesazheve politike e në rastin e Kosovës ka të bëjë me vazhdimin e dialogut me Serbinë, njofton Klankosova.tv

“Vizita të tilla janë kryesisht të tipit që qojnë mesazhe politike. Në rastin e Kosovës janë mesazhe të cilat ju pohojnë palëve që ato duhet të jenë të gatshme për një proces i cili duhet të vazhdojë, duke e ditur që duhet vazhduar negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës dhe njohjen e dyanshme mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Tradicionalisht dihet që kosovarë më së shumti i kanë besuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës pasi edhe tërë procesi prej fillimit të negociatave të gjitha kanë qenë të shtyra dhe të motivuara nga SHBA-të që kanë pasur vetëm një ide që të shtyhet edhe më shumë forcimi i pavarësisë së Kosovës dhe në këtë rast të kënaqet edhe pjesa e komunitetit jo shumicë në Kosovë veçanërisht pakica serbe meqë nuk iu kanë mjaftuar të drejtat me Kushtetutën e Kosovës por edhe me më shumë”.

Mes tjerash Sadiku thotë se vizita e Palmer dhe Lajçak tregon se mes BE-së dhe SHBA-ve ka unfikim qëndrimesh për dialogun dhe marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

“Realisht kjo vizitë fillimisht është e mirë pasi kemi një unifikim të politikës ndërkombëtare karshi çështjes dhe statusit të Kosovës pasi dihet që më parë ish-administrata Trump dhe diplomacia evropiane kanë pasur kahje të ndryshme për procesin e negociatave Kosovë-Serbi dhe tani siç po shihet me Presidentin Biden kemi një unifikim qëndrimesh mes BE-së dhe SHBA-ve që e lehtëson edhe më tej procesin e negocimit dhe arritjen e një marrëveshje të mundshme diplomatike midis Kosovës dhe Serbisë”.

“Në anën tjetër kjo vizitë i inkurajon palët që fillimisht partitë politike në Kosovë pozitë dhe opozitë të kenë një qëndrim më unifikues dhe më të përgatitur gjatë këtij procesi”, tha Sadiku.

Të ngjashme