Sahatqija thotë se largimi “kolektiv” i ambasadorëve e ka dëmtuar Kosovën, Abazi arsyeton se transformimi kërkon kohë

Prishtinë | 02 Nën 2021 | 18:28 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) ka organizuar Sallonin e së Martës me temën “Ambasadat pa ambasadorë: Çfarë po ndodh me shërbimin e jashtëm?”. Këtu u theksua nevoja për reforma në shërbimin e jashtëm, raporton Ekonomia Online.

Kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme dhe deputeti i VV-së, Haki Abazi, tha se diskutime të tilla do duhej të bëhen më shpesh, duke theksuar se politika e jashtme duhet të ketë një themel të fortë.

“Do ishte mirë që diskutime të tilla të bëheshin sa më shpesh. Politika e jashtme duhet me pasë një themel të fortë dhe të artikuluar përbrenda”, tha ai.

“Në 20 vitet e fundit prejse ndjehemi vend i liruar nga pushtimi, dhe 15 vjet si shtet i pavarur, politika e jashtme është përkrahur hap pas hapi nga partnerët ndërkombëtarë në rrugëtimin tonë”.

Tutje, Abazi tha se ndërrimi i qeverive ia ka pamundësuar Kosovës që të bëhet një lojtar serioz në politikën e jashtme.

“Reflektimi do duhej të bëhej për të lejuar pastaj te institucionet tona të zhvillohet edhe pjesa e muskujve, përveç atij skeletit, kushtimisht po them. Normalisht që asnjë Qeveri nuk e ka përfunduar një mandat të plotë, që mund ta bënte Kosovën lojtar serioz për dallim me vendet e rajonit”.

Abazi shprehet se shërbimi diplomatik duhet të shkojë përtej imagjinatës.

“Shërbimi ynë i jashtëm ka pasur një punë të bujshme, por që kjo në asnjë formë nuk na ndalon që të themi se ka ende një sërë problemesh”.

“Këtu mund të përmendim ndërrimin e shpeshtë të qeverive, me ç’rast bëhen negociata përbrenda ministrive lidhur me pozicionimin politik. Konstatimi se ambasadat kanë mbetur pa ambasadorë është në një nivel dramatik”, theksoi tutje Abazi.

Ai thotë se Qeveria nuk është vonuar sa i përket emërimit të ambasadorëve dhe se ky transformim do të marrë kohë.

Teuta Sahatqija, ish-konsulle e Përgjithshme e Kosovës në New York,  tha se është e zhgënjyer nga puna e Qeverisë aktuale sa i përket politikës së jashtme. 

“Kam një zhgënjim timin. Ndonëse Qeveria Kurti e ka shumicën, ende diskursi ka mbetur në ankesa dhe vetëm fjalë. Kam pritur me gëzim që të diskutojmë se si e shihni politikën e jashtme, dhe jo me ankesa”.

“Politika e jashtme është mbi të gjitha dhe mendoj që secili nga ata 12 ambasadorë kanë qenë të mirë dhe nuk kanë punuar për interesa personale por për Kosovën. Politika e jashtme është mbi partitë”.

Sahatqija thotë se Qeveria është dashur që të paktën t’i falënderoj të gjithë ambasadorët e larguar.  

“Ata ambasadorë do duhej që së paku të falënderohen. Dëmi i parë është se në mënyrë kolektive janë larguar, gjë që e ka dëmtuar Kosovën. Tjetra: Ata do duhej të largoheshin nëse do të kishin afat të shkurtër të zëvendësimit, sepse është bërë dëm”.

Ndërsa, Emir Abrashi, hulumtues në Demokracia Plus, tha se reformat në politikën e jashtme janë të domosdoshme.

“Gjatë këtyre viteve politika e jashtme ka hasur në vështirësi nga më të ndryshme, si ato teknike por edhe politike. Reformat në shërbimin e jashtëm janë të domosdoshme sepse diplomacia është një arenë kritike ku lëvizjet do duhej të merren me kujdes”, tha Abrashi.

Abrashi thotë se hapësirë për kritikë ka sidomos në pjesën që ata 12 ambasadorë janë shkarkuar për faktin se kanë qenë të emëruar politikisht.

“Është papjekuri që të lihen gjithë ato ambasada pa ambasadorë. Kjo jep një mesazh tejet të keq”, theksoi tutje ai.

Pas fjalëve të panelistëve, Abazi tha se nuk duhet të ketë një gjuhë të tillë ndaj kësaj qeverie. Ai i quan qasje pa kurriz kritikat ndaj politikës së jashtme.

Tutje, ata kanë diskutuar për reformat në politikën e jashtme. Abazi tha se edhe në proces të anëtarësimit dhe moratoriumit ka akoma dilema dhe si proces diplomacia nuk bëhet vetëm përmes ambasadorit.

“Edhe në procesin e anëtarësimit, këtu kemi dy tema të bashkangjitura ajo e moratoriumit, dhe cilat shtete kanë nënshkruar një moratorium të tillë dhe a ka qenë vendim i duhur, por nga ana tjetër krejt kjo është pjesë e detyrave pasi diplomacia nuk bëhet vetëm përmes ambasadorit”.

Si përfundim Teuta Sahatqija në krejt këtë diskutim tha se politika e jashtme nuk është pronë e askujt, duke shtuar se duhet punuar më shumë në këtë drejtim.

E edhe Abrashi tha se pret që të ketë transparencë më shumë nga kjo Qeveri sa i përket politikës dhe shërbimit të jashtëm.

Të ngjashme