Sami Kurteshi: Vjosa Osmani intimisht është ende pjesë e LDK-së

Prishtinë | 21 Mar 2021 | 12:59 | Nga Ekonomia Online

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka folur rreth mundësisë së kthimit të Vjosa Osmanit në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Kurteshi ka deklaruar se Osmani intimisht është e lidhur me LDK-në, pasi edukimi politik i saj ka qenë i tillë.

Kurteshi është pyetur nëse Lëvizja Vetëvendosje do t’i ofrojë Osmanit përkrahjen për presidente, nëse ajo do të kthehet në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Janë hapa të ndryshëm që po i përmendni. Hipoteza është e gjymtë. Zonja Osmani zyrtarisht është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje. Ne e pranojmë se është edhe Lista Vjosa e bashkëngjitur dhe i ka kandidatët e vet, por ligjërisht ajo është pjesë e Listës së Vetëvendosjes. Ky është vend demokratik, njerëzit kanë të drejtë të zgjedhin”, ka deklaruar Kurteshi.

Ish-Avokati i Popullit ka deklaruar se Vjosa Osmani është e lidhur intimisht me LDK-në, pasi sipas tij, edukimi i saj politik ka qenë i tillë.

“As tash zonja Osmani dhe kandidatët e saj nuk kanë ardhur me dhunë. Në të vërtetë asaj nuk i është lënë rrugë tjetër, sepse rruga e saj e trasuar politikisht ka qenë LDK-ja. Unë mendoj se intimisht, ajo ende është pjesë e LDK-së, intimisht, sepse edukimi i saj politik ka qenë i tillë. Ne atë e kemi pasur parasysh, ajo e ka parasysh. Ajo e di dhe ne e dimë se është ashtu. Asaj nuk i është lënë në LDK rrugë tjetër përveç kësaj që e ka ndërmarrë”, ka deklaruar Kurteshi.

Kurteshi ka thënë se nuk sheh ndonjë arsye që në të ardhmen e afërt, Osmani t’i bashkohet LDK-së, pasi aty i janë mbyllur rrugët.

“Unë nuk shoh arsye që në një ardhme shumë të afërt që të ketë lëvizje të tilla nga vetë zonja Osmani, sepse i janë mbyllur rrugët. Unë nuk besoj se ajo ka shprehur dëshirën jashtëzakonisht të madhe patjetër të bashkohetme Lëvizjen Vetëvendosje, mirëpo të gjitha veprimet tani e një vit kanë dëshmuar se rruga e vetme e saj ka qenë bashkimi i saj me LV-në. Kështuqë nuk po shoh ndonjë arsye të lëvizjeve në një të ardhme të afërt. Fundi i fundit ajo i ka bindjet e saj politike dhe unë mendoj se më e drejta në një vend demokratik është që njerëzit të veprojnë bazuar në bindjet e veta politike”, ka deklaruar Kurteshi në “Direkt”.

Ndryshe, Vjosa Osmani në zgjedhjet e 14 shkurtit, ka marrë 300 mijë e 756 vota. Ajo me iniciativën e saj ishte pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje.

Vjosa Osmani po ashtu është kandidatja e LV-së për të marrë postin e Presidentes, pozitë kjo në të cilën Osmani momentalisht është ushtruese detyre.

Të ngjashme