Saranda Bogujevci: Të arrijmë paqe në rajon që të përdoret si model edhe në konfliktet tjera

Prishtinë | 22 Qer 2021 | 21:57 | Nga Ekonomia Online

Në emër të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili njëherësh edhe kryesues i Delegacionit të Kuvendit në këtë Asamble, delegacionin e udhëhoqi nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, e cila ka folur në emër të kryetarit të Kuvendit në Sesionin e tetë Plenar të AP të SEECP-së, organizuar nga Kuvendi i Madh Kombëtar i Turqisë.

Në një lidhje online, Bogujevci foli edhe për sigurinë në rajon, duke thënë se ajo është e ndërlidhur ngushtë me sigurinë dhe stabilitetin e vendeve të Bashkimit Evropian, sepse, siç tha ajo, historikisht Ballkani Perëndimor ka qenë fushëbetejë e interesave të ndryshme dhe akterëve shtetërorë dhe joshtetërorë dhe se në mënyrë direkte ka afektuar sigurinë e BE-së.

“Për të eliminuar çfarëdo mundësie të konfliktit apo kërcënimit të sigurisë përbrenda rajonit, sugjeroj që të punojmë së bashku për të arritur një marrëveshje të përbashkët të paqes si rajon, e që do të dërgonte sinjal të fuqishëm të vendet tjera të Bashkimit Evropian, por edhe që do të mund të përdoret si model i tejkalimit të konflikteve ndërmjet shteteve në rajonet e tjera të botës, ku konfliktet ende vazhdojnë. Jo rrallëherë platformat e rajonale janë kontribuues të arritjes së paqes së qëndrueshme dhe sigurisë të përhershme“, theksoi Bogujevci.

Duke vënë në pah dëmet dhe pasojat që ka shkaktuar pandemia COVID-19 në shëndetin publik dhe në ekonomi, nënkryetarja Bogujevci theksoi rëndësinë e vendosjes dhe thellimit të bashkëpunimit përmes shkëmbimit të përvojave në mes vendeve pjesëmarrëse të SEECP-së, jo vetëm rreth procesit të integrimit dhe në nivel rajonal, por edhe nivel bilateral, në të gjitha nivelet me interes të ndërsjellë.

Ndërkaq, zëvendëskryesuesi i delegacionit serb, Gjorgje Miliçeviq, në fjalimin e tij fokus kryesor kishte Kosovën. Sipas tij, “Prishtina është duke injoruar marrëveshjen e Brukselit dhe se popullata dhe kisha serbe në Kosovë janë të rrezikuara“.

“Ne dëshirojmë të arrijmë marrëveshje konsensuale por kjo nuk do të thotë që do të lejojmë të shkatërrojmë të gjtha marrveshjet e arritura me shumë mund. Ne jemi të barabartë si njerëz por nuk jemi të barabartë si shtete. Kosova nuk është shtet i pranuar ndërkombëtarisht dhe nuk është njohur nga pesë vendet anëtare të SEECP-së“, theksoi ai.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Fitore Pacolli Dalipi, tha se nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, e cila iu drejtua me një fjalë rasti Asamblesë, ka pasur mundësi të drejtohet me një gjuhë tjetër ndaj Serbisë. Ajo shtoi se Saranda ishte vetëm 13 vjeçe kur në trupin e saj u shkrepën dhjetëra plumba, duke mbijetuar, përkundër se në trupin e saj të njomë kishte 16 plumba. Por, ajo zgjodhi gjuhën e bashkëpunimit.

“Dua t’ju njoftoj se ne anëtarët e delegacionit të Prishtinës që jemi prezent sot, e kemi parë vdekjen me sy kur ushtria serbe pamëshirshëm pati sulmuar Kosovën. Ne ishim fëmijë atëherë. U detyruam të ikim nga shtëpitë tona. Serbia ka vrarë të afërmit, shokët e shoqet tona. Ka masakruar fëmijë e gra. Serbia ka dhunuar mbi 20.000 gra. Për ne është vështirë të ulemi e të flasim për bashkëpunim me Serbinë e cila na ka vrarë e masakruar dhe akoma nuk ka kërkuar falje për atë që ka bërë. Por, ne kemi zgjedhur gjuhën e bashkëpunimit sepse besojmë që rruga jonë e vetme drejt të ardhmes është përmes bashkëpunimit“, theksoi Pacolli.

Ajo falënderoi të gjithë përfaqësuesit e shteteve pjesëmarrëse për reagimin që patët karshi gjuhës së papranueshme të Serbisë, e cila shkeli prarimin e barazisë dhe gjithëpërfshirjes.

Sesioni Plenar i Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore i kryesuar nga Turqia si Kryesuese në detyrë, mbylli punimet e tij me miratimin me konsensus të dokumentin kryesor, Deklaratësë së përbashkët përfundimtare.

Sipas rregullores së punës së AP të SEECP-së, vendimet merren me konsensus.

Përveç Kosovës, pjesëmarrës në këtë sesion ishin edhe delegacionet nga Turqia (si vend nikoqir), Greqia, Serbia, Sllovenia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosja e Hercegovina, Shqipëria dhe Kroacia.

SEECP është një proces rajonal i themeluar në Sofje më 1996 me synimin për të forcuar bashkëpunimin dhe besimin rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, stabilitetin dhe sigurinë, marrëdhëniet ekonomike dhe bashkëpunimin në dimensionin njerëzor, drejtësinë, luftën kundër krimit të organizuar dhe luftën kundër terrorizmit.

Asambleja Parlamentare e SEECP ka një rol të rëndësishëm pasi është një organizatë, ambicia e të cilës është të bëhet organizatë udhëheqëse parlamentare në rajon dhe që përfaqëson platformën më të përshtatshme për të përballuar sfidat e Evropës Juglindore.

Kosova merr pjesë në mënyrë të përhershme në aktivitetet dhe takimet e SEECP/PBEJL-së, në të gjitha nivelet dhe në kushte të barabarta.

Ndërsa gjatë Kryesimit njëvjeçar të Kosovës me SEECP, u vendos që Kosova të kryesojë me dy Komisionet e përgjitshme të Asamblesë.

Të ngjashme