SBAShK-u kërkon rishikimin e Projektligjit për mësimdhënësit e 90-ave

Prishtinë | 15 Tet 2018 | 14:20 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jashari, ka kundërshtuar Projektligjin për mësimdhënësit e viteve ‘90-ta sepse, sipas tij, pensioni prej 158 euro është pensioni më i vogël në Kosovë.

Këtë kundërshtim ai e bëri në mbledhjen e komisionit për Arsim, Shkencë dhe Teknologji në të cilën u diskutua Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Kosovës të viteve 1990/99, dhe u vendos që mbledhja të shtyhet për një herë tjetër.

Jashari tha se më mirë është të mos ketë fare ligj sesa të vijë një i tillë, raporton Ekonomia Online.

“Qeveria e Kosovës ka nxjerrë rekomandime dhe i kanë dhënë dritën e gjelbër Ligjit për mësimdhënësit. Ne nuk e pranojmë këtë ligj si të tillë. 158 euro është pensioni më i vogël në Kosovë. Ju lus ta shikoni edhe një herë. SBAShK-u nuk e pranon formën që do ta dërgoni në parlament. Më mirë mos të ketë ligj hiç, sesa të jetë një i tillë”.

Kryetari i komisionit, Ismajl Kurteshi, dha propozim që mbledhja të shtyhet në mënyrë që mbledhjen e ardhshme të vijnë me propozime konkrete.

“Po e lëmë për një javë, le ta lexojnë edhe një herë deputetët. Unë mendoj që nuk është serioze me votu ligjin qysh ka ardhë para 4 muajve. Mbledhjen tjetër ejani me propozime dhe e votojmë”.

Mevlide Shamolli, analiste për sektorin e arsimit, tha se Ministria e Financave është e gatshme të kontribuojë për ligjin në fjalë, raporton EO.

“Ministria e Financave është e interesuar me punu në aspekt profesional. Ligji i parë ka bërë debat shumë edhe nëpër media dhe institucione. Neni 7 ka pasur disa nënkategori që na kanë nxjerrë pak problem. Ne jemi në gjendje të japim kontributin tonë në mënyrë që ligji të jetë i mirë”.

Arbërie Nagavci tha se ende po bëhet politikë me këtë projektligj, derisa kërkoi nga SBAShK-u që të bashkëpunojnë me komisionin për të treguar pikat të cilat duhet të rregullohen.

“Për mua është shqetësuese me pa se edhe në këtë moment po bëhet politikë. Ne kemi pasë shumë grupe punuese, ku ka pasë koncensus për m’i shty pikat e caktuara. Në mënyrë që ta kemi ligjin e mirë, mendoj që duhet me tregu specifikisht çka është e dobishme dhe e dëmshme”.

Sekretari i SBAShK-ut e ka lutur komisionin që të mos e ndërrojnë projektligjin dhe si të tillë ta dërgojnë në kryesi e pastaj të votohet në parlament.

“Ju lus që të mos e ndërroni ligjin, si të tillë dërgojeni në kuvend e pastaj ata le ta votojnë”, tha ai.

 

Të ngjashme