S’certifikohen kandidatët e Listës Serbe për zgjedhjet në veri, VV-ja abstenon

Prishtinë | 24 Pri 2019 | 11:41 | Nga Alban Begolli Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka certifikuar kandidatët për kryetar të komunave të Listës Serbe për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të vendit, raporton Ekonomia Online.

Shtatë anëtarë votuan për, përderisa anëtarët e KQZ-së nga VV-ja Adnan Rrustemi dhe Nazlie Bala abstenuan.

Kandidatët e Listës Serbe nuk kanë arritur të marrin 2/3 e votave të nevojshme ashtu siç parasheh Ligji.

Për të njëjtën çështje ata kanë kohë të ankohen brenda 24 orëve në Panelin Zgjedhor pë Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se të gjitha palët që nuk janë të kënaqur me këtë vendim kanë të drejt ankese.

“Të gjitha palët kanë të drejt ankesë brenda 24 orëve, edhe Lista Serbe ka të drejtë ankesa nga ky moment”.

Në këtë mbledhje që ishte vazhdim i saj të së martës, përderisa kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka insistonte të shkohej menjëherë në votim, përfaqësuesi i VV-së, Adnan Rrustemi insistonte të merrte fjalën për të sqaruar pse nuk duhet të certifikohen tre nga katër kandidatët e Listës Serbe.

Daka tha se KQZ-ja nuk është Kuvend ku bëhen politikat e debatet e gjata, por është institucione që zbaton ligjet që bien në kompetencën e tij.

“Nuk jemi duke argumentuar, nuk ka qëndrim. Kemi fol lidhur me kandidatë, s’kemi çka me debatuar. Nuk jemi në Kuvend as nuk jemi duke bë debate politike, duhet me zbatuar ligjin”.

Përderisa pas insistimit Rrusetimi mori fjalën, duke thënë se çdokush ka të drejtë që të flasë e shpreh mendimin.

Ai ka kërkuar edhe një herë që Listës Serbe t’i jepet edhe 24 orë që të ndërroj emrat e tre kandidatëve dhe të distancohet nga deklaratat që kundërshtojnë shtetësinë e Kosovës.

“Çdo kush e ka të drejtën e vet me fol. Po do me përshpejtuar me përfunduar mbledhjen. Kam prit që në këto 24 orë të zëvendësoj kandidatët që kanë dhënë dorëheqje. Që të mbahen zgjedhje të mirëfillta. Kom prit që të distancohet nga përmbajtja e këtyre deklaratave”.

“T’i japin edhe 24 orë t’i zëvendësoj 3 nga 4 kandidatët ose të ndërroj qëndrim në këtë drejtim”.

Florian Dushi, nga LDK-ja ka kërkuar që anëtarët e KQZ-së të distancohen nga deklarimet politike, duke shtuar se duhet të ruhet roli dhe integritetit i këtij institucioni.

“Kjo është përtej autorizimeve të tona, për ruajtjen e këtij institucioni me rëndësi dhe peshë ne do të duhet të japim maksimumin përtej qëndrimeve politike, të provojmë ta ruajmë rolin e këtij institucioni duke mos krijuar precedant të rrezikshëm”.

“Lus kolegët që në frymën e ruajtjes së këtij qëndrimi që është në përputhje me ligjin, sepse ne nuk mund të vendosim kritere sipas rrethanave politike dhe është moment i duhur të procedojmë me votim”.

Debati ndërmjet Dakës e Rrustemit ka vazhduar sërish. Rrustemi shtoi se aktet e dorëheqjes së krerëve të komunave në veri është mohim i shtetit të Kosovës.

“Aktet e dorëheqje përmbajtja e tyre bie në kundërshtim me të drejtën kushtetuese është mohin i shtetit të Kosovës. Lista Serbe do të duhej të na ofronte kandidatë të tjerë”.

E para e KQZ-së potencoi se ky institucion nuk mund të bëjë kushtëzime e as vlerësime, duke shtuar se kandidatët i kanë plotësuar kushtet ligjore.

“Na nuk jem institucion që bënë kushtëzime, as me vlerësimin e vendimeve të presidentit secili institucion i ka punët e veta. Kandidatët kanë plotësuar kushtet ligjore me këtë ligj në bazë të cilit ne i organizojmë zgjedhjet nuk mund të shkojmë me kërkesa politike”.

“Kemi konsumuar të gjitha diskutimet u bënë të qarta edhe qëndrimet e tjera, unë nuk dua të diskutoj me dhënë vlerësime të tjera”.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të drejtë vote kanë 58 520 votues, me dallim prej 1 507 votues më shumë, në krahasim me Zgjedhjet e Lokale të datës 22 tetor 2017.

Të drejtë vote në Mitrovicën veriore kanë 22 242 persona; në Leposaviq 18 390 persona në Zveçan 9.276 persona dhe në Zubin Potok 8 612 persona kanë të drejtë vote.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka shpallur zgjedhjet për katër komunat veriore të Kosovës: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore pas dorëheqjes së kryetarëve atje shkaku i taksës prej 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.

Të ngjashme