“Së bashku ta shtyjmë përpara procesin e vizave”

Prishtinë | 23 Dhj 2016 | 08:26 | Nga

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropian, Njomza Emini, ka thënë se, pavarësisht vështirësive që janë përcjell gjatë këtij viti, mosmarrëveshjet e shpeshta pozitë-opozitë rreth shumë çështjeve me interes nacional, Kosova ka qenë e përkushtuar në agjendën evropiane.

Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Emini ka thënë se në këtë proces kontribut kanë dhënë pozita dhe opozita. “Në Komisionin të cilin e drejtoj vërtet ekziston një vullnet i mirë dhe mirëkuptim i përgjithshëm pozitë-opozitë, që gjërat t’i shtyjmë përpara bashkërisht”, është shprehur deputetja Emini. Ajo ka theksuar se duhet punë dhe angazhim më i madh i të gjitha institucioneve sa i përket kryerjes së obligimeve për agjendën evropiane.

Sa i përket liberalizimit të vizave, ajo ka bërë me dije se mbeten dy kritere të paplotësuara: demarkacioni me Malin e Zi dhe luftimi i korrupsionit. Emini ka thënë se këto dy kritere në dukje të parë janë kushte për të ecur përpara në procesin e liberalizimit të vizave mirëpo, sipas saj, luftimi i korrupsionit dhe fuqizimi i sundimit të ligjit do të jenë sfida edhe përtej këtij procesi.

“Mendoj se luftimi i korrupsionit, fuqizimi i sundimit të ligjit dhe i qeverisjes së mirë, investimi më tepër në ekonominë e tregut të lirë, fuqizimi i sektorit privat, me çfarë do të rritet fuqia e konkurueshmerisë së tregut të Kosovës, do të jenë sfida me të cilat do të vazhdojmë të ballafaqohemi edhe në të ardhmen”, është shprehur deputetja e LDK-së, Njomza Emini.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme