Së shpejti Asociacioni pjesë e dialogut – përkrahja e VV-së e kundërshtimi nga LDK-ja për tërheqje të vëmendjes

Prishtinë | 16 Tet 2021 | 08:11 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe shumë shpejt do të jetë temë diskutimi në tavolinë e dialogut Kosovë-Serbi, po vlerëson ish-këshilltari i ministres për Dialog, Gazmir Raci.

Ai i tha Ekonomia Online se pas zgjedhjeve në Kosovë e Serbi kjo temë do të hyjë në agjendë. Krejt kjo siç thotë ai do të ndodh sidomos si rezultat i marrëveshjes së fundit për targat, bazuar në deklaratat e zyrtarëve të lartë të BE-së.

“Si rezultat i marrëveshjes së fundit për targat, në deklaratën e BE-së thuhet se kanë marrë shënime për çështjen e Asociacionit të komunave dhe natyrisht që po e shoh që kjo temë do vije në tavolinën e diskutimeve, besoj që kjo do të jetë tema e radhës pas kalimit të zgjedhjeve, dhe të shohim se nëse edhe Serbia mban zgjedhje atëherë tema shtyhet pasi ata t’i kenë përfunduar zgjedhjet”.

Raci shton se reagimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) lidhur me Asociacionin janë shumë të çuditshme, pasi vet ish-kryeministri Isa Mustafa ka nënshkruar një marrëveshje të tillë.

“Është i çuditshëm reagimi i LDK-së për shkak se ajo ka qenë në pushtet, dhe ish-kryeministri Mustafa ka qenë personi përgjegjës në emër të Kosovës që e ka nënshkruar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Andaj nuk shoh ndonjë rrezik apo problem përderisa ne kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, dhe çfarëdo lloj asociacioni që do të themelohet në të ardhmen në kuadër të dialogut do duhej të ishte konform atij vendimi”.

Raci po e kritikon edhe partinë në pushtet, duke shtuar se asociacioni është bërë më shumë është çështje politike.

Siç thotë ai në të kaluarën ishte vet partia e Albin Kurtit që ishte kundër dialogut dhe Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Natyrisht këto partitë opozitare tani që janë në të kaluarën kanë qenë në pushtet dhe tani mundohen që çështjen e asociacionit ta shfrytëzojnë si temë e cila është e nxehtë në vend, duke u munduar që me bë opozitë ndaj VV-së e cila në të kaluarën ishte kundër dialogut dhe Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Po e shoh më shumë si çështje fushate politike apo kthim i asaj në të cilën kanë kaluar këta që kanë qenë në pozitë”, theksoi ai.

Përderisa politologu Arbnor Sadiku, tha se është e rëndësishme që Kosova të pranoj një Asociacion me simbolikat e veta dhe në përputhshmëri me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Një Asociacion Kosova do ta pranoj, por është me rëndësi që mos ta pranoj një të tillë që ka kompetenca ekzekutive dhe në një formë do të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese ku realisht një asociacion i tillë i cili i ka simbolikat e veta dhe strukturën organizative të pushtetit të Kosovës, dhe këtë e ka thënë edhe vendimi i Gjykatës”.

Sadiku thotë se marrëveshja për target ka qenë më shumë në kuptimin diplomatik dhe se ka marrëveshje tjera edhe më të rëndësishme.

“Marrëveshja për targat është në kuptimin diplomatik për Kosovën është mirë sepse për të dyja palët le të themi kanë gatishmëri që të vazhdojnë më tej bisedimet, por në anën tjetër nuk konsiderohet si një nga marrëveshjet më të rëndësishme sepse ajo që më e rëndësishme dhe me progres do të ishte kur ne të arrinim marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë dhe si e tillë Kosovës duhet t’i lejohej anëtarësimi në mekanizmat ndërkombëtar”.

Sadiku thotë se tek asociacioni duhet ndryshuar pjesa e cila prek kushtetutshmërinë e funksionimit të të gjitha pjesëve të Kosovës njësoj.

Prandaj ai ka ftuar pozitën e opozitën që të kenë kujdes sa i përket themelimit të Asociacionit, raporton Ekonomia Online.

“Tek Asociacion duhet ndryshuar pjesa e cila e prek Kushtetutshmërinë e funksionimit të të gjitha pjesëve të Kosovës njësoj, pasi e dimë që një rajon i caktuar ka një organizim të veçantë duke i bërë konkurrencë vendit. Andaj për t’u implementuar ky asociacion duhet bërë ndryshime dhe të kërkohet e drejta e votës edhe e pakicës”.

“LDK është në opozitë dhe ajo bën kontrollin e pozitës dhe në këtë rast Qeverisë, por nuk mund të paragjykojmë asgjë përderisa nuk shohim diçka që ka ngjarë në Bruksel dhe tashmë duhet pasur kujdes në krejt këto situata”.

Bashkimi Evropian (BE) ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që t’i zbatojnë të gjitha pikat e marrëveshjeve të nënshkruara duke përfshirë edhe Asociacionin e komunave më shumicë serbe. BE-ja ka paralajmëruar se kjo çështje të diskutohet para fundit të këtij viti.

Të ngjashme