Seanca e jashtëzakonshme vazhdon nesër, Veseli e pranon se s’kanë konsensus

Prishtinë | 04 Sht 2018 | 20:13 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Seanca e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për votimin e Propozim-vendimit të Qeverisë për emërimin e Ekipit Negociator për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka dështuar të përmbyllet sonte.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në një deklarim për medie, ka thënë se seanca e lënë në gjysmë sot do të vazhdojë nesër nga ora 14:00.

Kryeparlamentari Veseli tha se krahas bojkotimit të opozitës, edhe mungesa e konsensusit brenda koalicionit qeverisës ka bërë që kjo seancë të mos përfundojë, raporton Ekonomia Online.

“Seanca e jashtëzakonshme do të vazhdoj nesër në ora 2. Sot kemi pasur zhvillimin e seancës së jashtëzakonshme. Kemi pasur kushte për të vazhduar dialogun, kanë mbaruar debatet. Në pjesën e votimit, propozuesi i seancës ka bërë kërkesë që të kemi një shtyrje; kjo ka ndodhur në mënyrë që të kemi një vendimmarrje gjatë seancës së jashtëzakonshme që do të mbahet nesër”.

“63 deputetë kanë qenë në sallë. Bojkoti i opozitës, mungesa e gatishmërisë që të jetë në sallë ka krijuar këtë situatë, por edhe vetë mungesa e konsensusit brenda atyre që e kanë propozuar këtë seancë”.

Duke komentuar deklarimet e Avdullah Hotit të LDK-së i cili sot akuzoi partitë në pushtet se po duan ta copëtojnë Kosovën, Veseli tha se Kosova është e gjithë dhe e ka ftuar Hotin që të përmbahet nga deklarata të këtilla kontaminuese.

“Sot do të thuhej që Avdullah Hoti dhe LDK-ja të ishin në sallën e Kuvendit ku pozita dhe opozita të ishin bashkë në ballafaqim me Serbinë. Në qoftë se Kosova ka ardhë në një moment që Avdullah Hoti të mbrojë veç vetë qenka shumë poshtë”, u shpreh kreu i Kuvendit.

“Avdullah Hoti shpresoj që do ta kallëzoj veten. Këtu do të duhej të ishin shqiptarët, të merrnin vendim për Kosovën. Mospjesëmarrja e shqiptarëve në këtë sallë po shkakton këtë ndarje e cila veç po e dëmton shtetin tonë. Ne do të duhej të ishim bashkërisht në mënyrë që të mos çonim mesazh te qytetarët tanë të përçarjes”.

“Ne shqiptarë që përbëjmë shumicën. Ne s’po mundemi të gjejmë gjuhë të përbashkët sepse ma mirë po na del me ia bë gisht njëri-tjetrit. Unë po thërras kolegët e opozitës. Situata është shumë reale, pretendimet e Serbisë janë shumë reale…”

I pyetur nga gazetarët nëse seanca e sotme dështoi pasi Lista Serbe po vë kushte, Veseli tha se kurrë nuk do të ketë në Kosovë kushtëzime nga Lista Serbe. “Ne nuk do t’i nënshtrohemi asnjë kushtëzimi”.

LDK-ja kthehet në sallën e Kuvendit

Derisa Veseli po fliste në hollin e Kuvendit, deputetët e LDK-së kanë hyrë në sallën e mbledhjeve, me qëllim që të vazhdojnë seancën tjewtër të jashtëzakonshme, megjithëse është e qartë se nuk ka kuorum.

Sipas Veselit, ky është veç një “spektakël”. Ai tha se nëse bëhen 61 deputetë në sallë, ai do të shkojë ta udhëheqë seancën.

:63 deputetë kanë qenë në sallë nuk ka pasur vendimmarrje si mund të vazhdojë një seancë tjetër me 57 deputetë kur unë nuk mundem ta filloj”, deklaroi ai për gazetarët.

Të ngjashme