Seanca për votimin e Qeverisë së re mund të mos mbahet të shtunën

Prishtinë | 01 Maj 2020 | 07:52 | Nga Ekonomia Online

Seanca e jashtëzakonshme e cila është kërkuar të mbahet të shtunën me qëllim të votimit të qeverisë së re, mund të mos mbahet.

Kjo për faktin se Gjykata Kushtetuese është aktivizuar pas pranimit të kërkesës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për interpretim të kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit Hashim Thaçi, për mandatimin e Avdullah Hotit si kandidat për kryeministër të ardhshëm.

Siç mëson AktivPress, Gjykata Kushtetuese u ka dhënë mundësinë deputetëve që sot deri në ora 12:00 t’i dërgojnë komentet lidhur me kërkesën për pezullim të votimit të Qeverisë së re, ndërsa komentet në lidhje me dekretin e presidentit t’i dërgojnë deri më 8 maj.

Bazuar në këtë zhvillim të fundit, pritet që edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, të mos e thërras seancën e jashtëzakonshme për të shtunën, derisa nuk e merrë një përgjigje nga Kushtetuesja.

Qëndrimin e saj, ajo pritet ta bëj publik në konferencën e thirrur në ora 12:00.

Një ditë më herët, Osmani ka takuar shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, si dhe ambasadorët e pesë vendeve të Kuintit, atë të ShBA-ve, të Britanisë së Madhe, të Italisë, të Gjermanisë dhe të Francës.

Atyre u ka thënë se do të jetë në mbrojtje të integritetit institucional të Kuvendit, të stabilitetit dhe të demokracisë në vend, si dhe të respektimit të Gjykatës Kushtetuese si e vetmja instancë e cila mund ta interpretojë kushtetueshmërinë e veprimeve të institucioneve. ​

Ndërkohë, i mandatuari për kryeministër, Avdullah Hoti, është shprehur i bindur se me votimin e Qeverisë së re ‘’asnjë shkronjë e Kushtetues nuk do të cenohet, përkundrazi, Kushtetuta do të respektohet e lartësohet’.

Të ngjashme