Seanca që e dështoi mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës e Shqipërisë

Prishtinë | 24 Sht 2020 | 16:19 | Nga Ekonomia Online

Ka një kohë që Kosova dhe Shqipëria janë duke bërë përgatitje për mbledhjen e përbashkët që do të mbahet në Shkodër. Në këtë mbledhje pritet që të bëhet nënshkrimi i disa marrëveshjeve të rëndësishme për dy vendet. Mirëpo, takimi i paraparë për të premten është shtyrë për 2 tetor për shkak të seancës së Kuvendit. Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani ka thënë se për këtë çështje ka pas dakordim të ndërsjellët të homologëve.

Gjatë së mërkurës, kreu i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti e kryeministri Shqipërisë, Edi Rama, përmes telefonit janë dakorduar për shtyrjen e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, që ishte caktuar të mbahej këtë të premte.

Kjo kërkesë është bërë nga kryeministri Hoti, me arsyetimin se për të njëjtën ditë është caktuar edhe një seancë e rëndësishme në Kuvend të Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur Hoti përmes një shkrimi në Facebook ku thotë se takimi është shtyrë për në datën 2 tetor.

“Për shkak të seancës së Kuvendit të Kosovës, u dakorduam me Kryeministrin Rama që mbledhjen e përbashkët të dy qeverive tona, të paraparë për këtë të premte, ta mbajmë më 2 tetor. E falënderoj Kryeministrin Rama për mirëkuptimin dhe dy ekipet tona për përgatitjen e mbledhjes”, ka thënë ai.

Gazeta Express ka provuar sot gjatë ditës që të marrë një përgjigje në Qeverinë e Shqipërisë për anulimin e takimit. Megjithatë, deri në momentin e publikimit të lajmit, të njëjtit nuk janë lajmëruar përmes telefonit.

Për këtë temë sot gjatë ditës ka folur ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani. I njëjti i ka thënë se vendimi është marrë, ani pse janë bërë të gjitha përgatitjet për takimin. Ai thotë se në Shqipëri nuk ka pasur ndonjë reagim tjetër.

“Dje është marrë vendim, i kemi përgatit të gjitha që duhet për takimin, për shkak që kryeministrat kanë fol dje, së bashku është marrë vendim që me u shty për 2 tetor. Nuk ka ndonjë reagim, është në pajtim i ndërsjellët”, thotë ai.

Hasani ka zbuluar edhe për marrëveshjet që do të nënshkruhen me 2 tetor në mes të dy qeverive.

“Në mbledhje të Qeverisë janë planifikuar marrëveshjet për doganën, për leje qëndrime, për hekurudhat, për COVID, arsim dhe kulturë”, ka thënë ambasadori.

Arsyetimin për anulim të takimin e kanë kritikuar në Lëvizjen Vetëvendosje duke thënë se seanca e Kuvendit mund të shtyhet për datën 28 shtator.

“Mbledhja e dy qeverive të Shqipërisë dhe e Kosovës në Shkodër është në interes të të gjithë qytetarëve tanë. Si drejtues i Grupit parlamentar të LV, kërkues i raportimit të Hotit në Kuvend, publikisht e njoftojmë Hotin që mos të tërhiqet nga mbledhja me Qeverinë e Shqipërisë të premten me 25 shtator”, ka shkruar shefi i deputetëve të LVV’së, Rexhep Selimi.

Derisa mbledhja e Qeverisë është shtyrë për një ditë tjetër, në Kuvend kanë bërë të ditur pikat e rendit të ditës për seancën e nesërme.

Në rend të ditës është votimi i Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, derisa, kryeminsitri Avdullah Hoti do të raportojë edhe për dialogun.

Të ngjashme