Sefaj për shkaqe shëndetësore s’raporton në komision për zhvillimet në IPK

Prishtinë | 06 Shk 2018 | 11:46 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Punëve të Brendshme (MBP), Flamur Sefaj, kishte paralajmëruar se do të raportonte  në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës rreth zhvillimeve në Inspektoratin Policor të Kosovës, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Kryetari i këtij komisioni, Haxhi Shala, para se mbledhja të fillonte tha se arsyeja pse ministri nuk është i pranishëm janë shkaqet shëndetësore. Mirëpo ai paralajmëroi se Sefaj do të jetë i pranishëm javën tjetër, raporton Ekonomia Online.

Ditë më parë në medie është publikuar një bisedë mes kryeshefit Hilmi Mehmeti dhe disa vartësve të tij ku dëgjohet presioni që u bën atyre për  të ndikuar në punësime.

Pas kësaj Sefaj ka suspenduar nga puna kryeshefin Mehmeti ndërsa lidhur me këtë rast Prokuroria është duke i bërë hetimet.

Mirëpo pavarësisht mungesës së ministrit Sefaj, komisioni ka diskutuar për problemet në Inspektoratin Policor duke propozuar që ta krijohet një grup i cili do të mbikëqyr punën e këtij institucioni.

Rexhep Selimi, nga VV, propozoi që të formohet një grup punues për mbikëqyrjen e zbatueshmërisë së ligjit për Inspektorin.

“Duhet të formohet një grup punës për inspektimin e punës në Inspektoratin e Policisë, për kontrollimin e zbatueshmerisë së ligjit. Komisioni parlamentar e ka këtë detyrë d.m.th me shikuar zbatueshmërin e ligjit. Ne kemi parë shkeljet ligjore që janë bërë dhe mendoj që mbikëqyrja e zbatueshmerisë së ligjit nuk shkakton interferencë. Kurrkush nuk mund ta mohoj që atje është shkelur ligji”.

“Edhe në mandatin e kaluar ka pasur një grup punës dhe për shkak të zhvillimeve në kund ai grup punës nuk ka sjellë asnjë raport. Një gjë është evidente që ky institucion ka pasur probleme të vazhdueshme. Nëse ju përmendet nevojën për ndryshimin e ligjit në inspektorit, gjetjet nga ky grup punës do të ishin të dobishme për ta plotësuar këtë ligj”.

Fatmir Xhelili, nga PDK, tha se nuk është i përshtatshëm një grup punës në këtë fazë, raporton EO.

“Unë jam kundër asaj që ne tash me krijuar një grup punës, por propozoj që pas këtij cikli të bëjmë grupin punës dhe të shohim se sa u janë përmbajtur procedurave. Do te duhej të ndryshonte ligji për inspektoratin. Një grup punues tash kish me interferuar në forma të ndryshme. Duhet të i jepet prokurorisë qe vetë ta trajtojë problemin. Unë jam i prirë që ti lejojmë vet t’i zgjidhin këto probleme”.

Muharrem Nitaj, nga AAK, tha se pretendimet në raport duken të jenë serioze, por sipas tij, një grup punues në këtë faze pa i dëgjuar edhe shkeljet nga vet ministri është i paarsyeshëm.

“Unë e shoh që pretendimet që janë paraqitur në raport janë shumë serioze. Unë do të doja që kjo mbledhje të shtyhej për një ditë tjetër. Nuk e shoh të arsyeshme që të bëjmë një grup punues në këtë faze të punës pa i dëgjuar edhe shkeljet nga vet ministri”.

Xhelal Sfeçla, nga VV, tha se brenda Inspektoratit ka pasur shkelje të rënda, prandaj edhe duhet që të formohet ky grup.

“Unë mendoj qe është e arsyeshme që komisioni ti kryej obligimet e veta ligjore për çfarë edhe ekziston. Mendoj që policia është institucioni më kredibil. Po flasim për shkelje nga organet qe do të duhej të ishte e pa paramendushme. Duke hy këtu edhe prokuroria kjo veç e rendon gjendjen. Është e nevojshme, por edhe urgjente që të krijohej një grup. Qysh në raportimin e ministrit ne do të kishim të dhëna më të mëdha edhe nga brenda”.

Drita Millaku, nga VV, u ankua se nuk po i jepet fjala në këtë komision.

“Po e shqyrtoj mundësin që të dal nga ky komisioni sepse po më duket si komision i burrave, e kam kërkuar fjalën e para dhe po e marr e fundit”, tha ajo.

Të ngjashme