Sejdiu: Kosova, ”e zaptuar” nga personat e korruptuar

Prishtinë | 12 Pri 2018 | 08:57 | Nga

Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu, duke e quajtur Qeverinë aktuale të vendit si tejet të dëmshme, ka thënë se vendi duhet sa më parë të shkojë në zgjedhje.

Korab Sejdiu në një intervistë ekskluzive për “Zërin” ka thënë se është pro rrëzimit të qeverisë “Haradinaj”, duke shtuar se nevojitet konsistencë mes opozitës së vendit, duke lënë anash edhe inatet personale me qëllim që kësaj Qeverie t’i jepet fund.

Sipas Sejdiut, Qeveria aktuale është një grupim i klaneve të cilët po punojnë për interesa të tyre dhe jo për interesa të Kosovës.

Sejdiu gjatë kësaj interviste ka folur edhe për arrestimin e shtetasve turq, për të cilin konsideron që është një nga proceset më të dëmshme për vendin, pasi është shkelje e të drejtave të njeriut.

Sejdiu ka dhënë edhe instruksione se si duhet të zhvillohet faza përfundimtare e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë e që sipas tij do të duhej të përfundonte sa më parë, pasi po udhëhiqet nga njerëz jokompetentë dhe pa mandat, siç është presidenti Thaçi.

Zëri: Z. Sejdiu, raportet në mes të Kosovës dhe të Serbisë janë tensionuar pas arrestimit të politikanit serb Marko Gjuriq. Si po i shihni deklaratat si të krerëve të shtetit serb, ashtu edhe të atyre kosovarë lidhur me marrëdhëniet mes dy shteteve?

Sejdiu: Deklaratat zakonisht po vijnë prej dy burimeve, një nga ana e presidentit Thaçi dhe e dyta nga ana e serbëve nga presidenti Vuçiq, të cilët me gjasë këto deklarata përveçqë i kanë të koordinuara mes vete më shumë i kanë për ta ushqyer atë popullzimin vendor sesa kanë ndonjë efekt ose ndonjë përmbajtjeje. Po flasim për personat të cilët janë treguar jashtëzakonisht të papërngjeshëm veçanërisht në anën tonë dhe kjo është një fatkeqësi e madhe duke e pasur parasysh se çfarë rëndësie ka raporti ynë me Serbinë për të ardhmen e Kosovës.

Po aq më me rëndësi është çështja se si ne vendosim tutje ta trajtojmë çështjen e dialogut me Serbinë, e kemi parë që e kemi një ekip i cili është bërë vetëm sa për të thënë që e kemi një ekip për dialog, ndërsa në anën tjetër presidenti Thaçi shkon edhe mban takime sekrete dhe vetëm ai e di se çka bisedon dhe çka negocion.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme