Sejdiu: LAA do t’i qëndrojë besnik ndaj koalicionit

Prishtinë | 06 Kor 2017 | 08:55 | Nga

Zyrtarët e koalicionit fitues në zgjedhjet e 11 qershorit tashmë kanë deklaruar disa herë se ata kanë siguruar mbi 61 deputetë për ta formuar Qeverinë.

Sipas këtij koalicioni, shumë shpejt pritet të formohet Qeveria.

Mirëpo në anën tjetër, zyrtarë të partive tjera kanë deklaruar se janë kundër bashkëpunimit me PAN-in për formimin e Qeverisë, duke theksuar gjithashtu se ende nuk kanë pasur ndonjë ftesë për takim nga koalicioni fitues.

Deputeti i zgjedhur nga radhët e Aleancës Kosova e Re, Korab Sejdiu gjatë një prononcimi për Indeksonline thotë se në aspektin zyrtarë, PAN nuk ka pasur kurrfarë takimi me përfaqësuesit e AKR-së për këtë çështje.

Gjithashtu, ai thekson se edhe po të ketë ftesë nuk do pranojë të bashkëpunojë me PAN për formimin e Qeverisë.

“Në aspektin zyrtarë nuk kam asnjë informatë që ka pasur ndonjë bisedë më ndokënd të përfaqësuesve të AKR-së me PAN-in sa i përket kësaj çështjeje. Qëndrimi im është JO që nga fillimi, se nuk mund të bashkëpunoj me PAN-in”, ka thënë Sejdiu.

Gjithashtu, ai ka treguar se koalicioni LDK-AKR-ALT kanë mbajtur tash vonë takim, ku edhe njëherë është rikonfirmuar besnikëria ndaj koalicionit të tyre, nga të gjithë.

“Ne kemi pasur takim të premten të kryesisë së AKR-së dhe kemi pasur takim edhe me koalicionin e gjerë, dhe në të dyja takimet është rikonfirmuar edhe njëherë besnikëria e koalicionit nga të gjithë, por edhe e AKR-së për të qëndruar besnik ndaj koalicionit”, ka shtuar ai.

Ndryshe, Mbledhja konstituive e Kuvendit të Kosovës pritet të mbahet brenda një muaji pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme