Sejdiu: Ndarja e LDK-së ishte nxitur nga faktorë brenda e jashtë

Prishtinë | 19 Nën 2019 | 23:03 | Nga Ekonomia Online

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish i pari i LDK’së Fatmir Sejdiu ka komentuar edhe përplaset e së kaluarës në LDK, duke implikuar këtu edhe faktorin ndërkombëtar sipas tij , transmeton Gazeta Metro.

Sejdiu, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se përplasja e parë me karrige në LDK ka ndodhur në gusht të vitit 1998.

“Ajo ishte përplasja e parë që edhe na ka ndarë në dysh realisht”, tha ai.

Ish-kryetari i LDK’së ka thënë se përplasja me karrige në Kuvendin e vitit 2006 ishte e nxitur edhe nga faktori i brendshëm por edhe nga ata të jashtmit.

Ai thotë se nga faktorët e jashtëm është normale që subjektet rivale politike të synojnë “fundosjen e anijes”, por shton se për të e çuditshme ka qenë heshtja e një pjesë të faktorit ndërkombëtar.

“E them me plotë përgjegjësi se faktorit ndërkombëtarë nuk u ka konvenuar një LDK me atë numër”.

Sejdiu thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese që e rrëzoi atë nga posti i presidentit ishte një “karrem” nga shumë palë që u ishte premtuar posti.

Ai thotë se është përfolur që Enver Hasani ishte njëri nga ta që synonte të bëhej president, ndërsa kishte të tjerë nga LDK’ja që mendonin se do ta “trashëgonin” postin pas tërheqjes time.

“Më vonë ka pasur njerëz nga AAK’ja e PDK’ja që më kenë thënë se ndjejnë keqardhje për ato që kanë ndodhur”, deklaroi ndër të tjera Fatmir Sejdiu.

Të ngjashme