Sejdiu: Nuk kemi nevojë për qeveri të numrave dhe pazareve

Prishtinë | 04 Sht 2017 | 16:44 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputetit i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Dardan Sejdiu tha se me LDK-në janë dakorduar që të vazhdojnë me krijimin e një platforme qeverisëse.

Sipas tij, Kosova ka nevojë për një qeveri të mirë e cila bazohet në platformë dhe programe e jo në numra e pazare

“Sot e patëm takimin me përfaqësuesit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Alternativës. Në takim u dakorduam në ndërtimin e një platforme qeverisëse, ndonëse kjo do të duhej të ndodhte edhe më parë edhe më shpesh. Është lajm i mirë që sot kemi filluar në mënyrë intensive të bëjmë këtë. Si Lëvizje Vetëvendosje jemi të gatshëm tash e sa kohë të ecim përpara në këtë drejtim. Jemi dakorduar që nesër të kemi takimin e radhës dhe të dakordohemi mbi temat që janë të rëndësishme për zhvillimin e Republikës së Kosovës. Normalisht ky vend ka nevojë një platformë dhe për një qeveri e cila e kthen zhvillimin e vendit në binar.Kosova ka nevojë për në qeveri të tillë, pra qeveri që bazohet në platformë dhe program e jo një qeveri e cila bazohet në numra dhe pazare”, tha Sejdiu pas takimit me Avdullah Hotin nga LDK dhe Ilir Deda nga Alternativa.

Ai shtoi se takimi me LDK-në dhe Aleternativën janë në frymën e diskutimeve që i kanë realizuar edhe me kreun e AKR-së, Behxhet Pacollin.

“Këto takime janë në frymën e diskutimeve që i kemi pasur tash e sa kohë edhe me zotin Pacolli. Pra, diskutime në një platformë në të cilën një shumicë shqiptare e formon, të themi kështu, është shtylla e qeverisë, përbërja kryesore e deputetëve të Kuvendit të Kosovës e cila e voton një qeveri të tillë. Kështu që unë mendoj që edhe zotëri Pacolli edhe të gjithë të tjerët do të duhej të ishin dhe të na bashkëngjiten, të jenë pjesë e këtij rrugëtimi siç kanë qenë deri më sot”.

Ai tha se nuk janë duke diskutuar se kush do të ketë pozitën e kryeministrit pasi janë të fokusuar në krijimin e platformës së përbashkët qeverisëse.

“Këtu është edhe dallimi thelbësor. Përderisa prej 11 qershorit Kosova është e bllokuar se dy njerëz dëshirojnë të jenë në krye të institucioneve, ne po duam platformë, program,, politika e më pastaj njerëzit në dikastere të caktuar me profile që mund të shtyjmë përpara ato politika. Pra cili është kuptimi të ndajmë pozita, kur nuk e kemi programin e platformën. Tash e 18 vite Republika e Kosovës është menaxhuar me pazare për njerëz dhe jo njerëz qytetarë por njerëz të partive. Duhet të dalim nga kjo logjikë, duhet të ofrojmë qeverisjen e cila i ka politikat e qarta dhe njerëzit që i shtyjnë ato politika janë njerëz profesional edhe për nga aspekti profesional edhe për nga aspekti moral dhe ligjor”.

Të ngjashme