Sejdiu për Komisionet Hetimore Parlamentare: Shumë zhurmë për asgjë

Prishtinë | 18 Jan 2019 | 14:42 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga PSD-ja, Dardan Sejdiu, ka folur për disa komisione hetimore parlamentare, që janë iniciuar në sesionin e kaluar të Kuvendit të Kosovës.

Ai tha së këta komisione kanë qenë të rëndësishëm për nga përgjegjësia dhe detyrat, por sipas tij jo të gjithë kanë pasur rezultatet e njëjta

“Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me shpenzimet për lobim nga ana e Presidencës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës (udhëhequr nga PSD). Ky komision e ka filluar punën në qershor të vitit 2018 dhe e ka përfunduar punën e vet para skadimit të mandatit të përcaktuar me ligj”.

“Punë e rregullt, efikase dhe me rezultat. Për këtë, si kryetar i komisionit, falënderoj të gjithë anëtarët e komisionit dhe stafin e administratës së komisionit. Sot, në mbledhjen e Kryesisë u vendos që ky raport të jetë për seancën plenare të radhës”, ka shkruar Sejdiu në rrjetin social Facebook.

Më tej ai ka folur për Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq.

“Ky komision është (udhëhequr nga LV), konkretisht nga deputeti Xhelal Sveçla, i cili përtej muhabeteve, prononcimeve për të bërë spektakël, nuk arriti ta përfundojë punën e vet. Sot kërkuan, pas 6 muaj zhurme, kundërligjshëm vazhdimin e mandatit të këtij komisioni, duke u munduar ta arsyetojnë mungesën e punës”, tha më tej Sejdiu.

Deputeti i PSD-ës ka komentuar edhe një komision tjetër atë në lidhje me emërimet e shërbyeseve të lartë civilë në Administratën Shtetërore të Republikës së Kosovës (udhëhequr nga LDK).

“Ky komision, ishte iniciativë e deputetes Mimoza Kusari-Lila dhe e imja! Me propozimin e LDK-së, menjëherë pas ngritjes së komisionit, LDK e ndërroi deputeten znj. Mimoza Kusari-Lila me deputeten tjetër znj. Lirije Kajtazi. Edhe ky komision nuk ishte në gjendje ta bëjë punën e vet, të përcaktuar me ligj. Ndonëse tema e emërimeve është jashtëzakonisht problematike. Shumë zhurmë për asgjë”, shkruan më tej Sejdiu.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme