Sekretari Shahini dyshon se u shkarkua se nuk i bleu telefon ministrit Gashi

Prishtinë | 03 Nën 2017 | 16:16 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Sekretari i pezulluar i Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Osman Shahini, tha të premten se u pezullua nga ministri Dardan Gashi mbi supozime të pabazuar, vetëm se ka kërkuar më shumë punë dhe buxhet.

Madje, ai dyshon se pezullimi i tij ka ardhur pasi kishte refuzuar blerjen e një telefoni prej 1 000 eurosh, raporton Ekonomia Online.

“Kur ka qenë ministër Valon Murati e ka hequr nga vija buxhetore blerjen e telefonave mobilë. Kur ka ardhur ministri i ri ka kërkuar me ble një telefon rreth 1000 euro. E kam pyetur sektorin për buxhet dhe më kanë thënë se nuk ka buxhet të paraparë dhe blerja na shkakton thyerje të ligjit”, tha Shahini, në një konferencë të thirrur për gazetarët, para ndërtesës së Ministrisë, ku punoi deri dej.

“Por, nuk mundem me thanë se kjo mund të jetë arsye e pezullimit tim”, u shpreh Shahini.

Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, përmes një shkrese drejtuar kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur vendimin e tij për pezullimin e Shahinit nga pozita e sekretarit.

Ministri Gashi në shkresën e tij për pezullimin e Shahinit ka thënë se ai ka performuar dobët dhe e ka shkelur ligjin.

Por këto pohime të tij, po i konsideron të papranueshme Shahini. Ai ka paralajmëruar se do të bëjë ankesë në Komisionin Disiplinor.

Shahini tha se ministri Gashi e ka pezulluar mbi supozime të pabazuara dhe mbrojti performancën e tij.

“Gjatë vitit 2014 edhe vitit 2015 janë dy regjistra të diasporës, ku janë regjistrua shumë njerëz. Po ashtu janë bërë shumë punë në këto dy vite, janë dyfishuar dhe trefish aktivitete në ministri gjatë detyrës sime”, u shpreh ai.

“Kërkoni qasje në këto dokumente dhe nëse del diçka unë nuk kërkoj më asnjëherë të jam shërbyes civil”.

“Në dy takimet e fundit që i kam pasur me ministrin nuk më ka thënë ndonjë gjë. E vetmja kërkesë e imja ka qenë me pasë staf më shumë për t’i përfunduar të gjitha projektet”.

Më tutje, Shahini thotë se ministri ka bërë shkelje të ligjit duke e emëruar si sekretare të përhershëm një punëtore të thjeshtë, siç është sipas tij, Shyhrete Gosalci.

“Neni 2 thote në rast të mungesës së një sekretari të Përgjithshëm, ai ose ajo do të zevëndësohet nga nënpunësi civil i rangut më të lartë në përputhje me rregullat e përcaktuara në Ligjin për Procedurën Administrative. Ndërsa ajo është zyrtare e thjeshtë, nuk është madje as shefe e divizionit”, tha Shahini.

Ai ka pasur ankesa edhe ndaj disa këshilltarëve në ministri, të cilët tha se “në mënyrë të vazhdueshme kanë komunikuar me punëtorët me pakënaqësitë që kanë për mua vetëm për të më shkarkuar”.

Të ngjashme