Selim Pacollit iu ndalua kandidatura në Prishtinë, reagon Daut Haradinaj

Prishtinë | 27 Gus 2021 | 16:51 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për kryetar të komunës së Prishtinës, nga AAK-ja, Daut Haradinaj, ka reaguar pas Selim Pacollit të AKR-së iu ndalua kandidimi për kryetar të kryeqytetit

Haradinaj ka inkurajuar Pacollin që të ndjek të gjitha mjetet juridike për të mbrojtur të drejtën e tij dhe të respektojë vendimet e gjyqësori.

Ai tha se roli i Selim Pacollin për Prishtinën në këtë garë ka qenë pozitiv dhe civil.

“Lajmin për ndalesën e kandidimit të Selim Pacollit për Prishtinën e kam pranuar me keqardhje. Z. Pacolli, si nënkryetar i Komunës dhe si kundërkandidat është vlerë e shtuar e garës që i ndihmon debatit dhe garës demokratike. E inkurajoj Z. Pacollin që t’i ndjekë të gjitha mjetet juridike për të mbrojtur të drejtën e vet dhe të respektojë vendimet e gjyqësorit. Sido që të jetë verdikti, pa paragjykuar, roli i Z. Pacollit për Prishtinën në këtë garë ka qenë dhe është pozitiv dhe civil”, ka shkruar ai në një postim në “Facebook”.

Ndërkohë, Kandidati i AKR-së për kryetar të Prishtinës, Selim Pacolli, nuk është certifikuar nga KQZ. Lajmin e ka bërë të ditur Pacolli në profilin e tij në Facebook, teksa thotë se kjo ka ndodhë si pasojë e një aktvendimi të vitit 2019 që kishte bërë deklarimin e pasurisë 48 orë pas përfundimit të afatit.

Sipas tij vonesa kishte ndodhur për shkaqe shëndetësore të tij, teksa shton se do të vazhdojë ta mbështes AKR-në dhe kandidatët e listës për asamble.

Reagimi i tij i plotë:

Sapo morra lajmin se KQZ nuk do ta certifikoj kandidaturën time për kryetar të Prishtinës.

Kjo si pasojë e një aktvendimi të vitit 2019, unë kam bërë deklarimin e pasurisë 48 orë pas përfundimit të afatit ligjor për deklarim, (përfshirë ditët e vikendit).

Me saktë, afati ishte të Premten, ndërsa deklarimi të Hënën, në orën 8 të mëngjesit në prezencën time fizike. Kjo vonesë ka ndodhë si pasojë e udhëtimit tim për çështje shëndetësore jashtë vendit.

Edhe pse në esencë ky është një vendim arbitrar dhe i palogjikshëm, vendimet e gjyqësorit janë të shenjta dhe të padiskutueshme.

U betohem që edhe pse nuk do të jem zyrtarisht kandidat për kryetar të Prishtinës, dëshira dhe angazhimi im për qytetarët e Prishtinës është edhe më i madh. Unë do të ju qëndroj besnik dhe do ti mbështes ne cdo hap të gjithë kandidatët e listës sonë për kuvendin komunal, e në veçanti kandidatin e subjektit tim AKR për kryetar të Prishtinës.

Ju siguroj se zotimi im për qytetarët është po aq i vlefshëm dhe nuk do të abstenojë por do të vazhdoj angazhimin tim sikurse para marrjes së këtij lajmi.

Do të vazhdojë implementimin e të gjitha projekteve të planifikuara për këtë mandat, dhe projektet e parapara për mandatin vijues, e që janë jetike për qytetin tonë.

Të ngjashme