Selimi: Do të kundërshtojmë demarkacionin me votë, jo me gaz lotsjellës

Prishtinë | 03 Dhj 2017 | 14:12 | Nga

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi në një prononcim për Gazeta Blic ka folur lidhur me masat që do të ndërmarrë Vetëvendosje për mos ratifikim të versionit aktual të Demarkacionit, nëse i njëjti shkon për miratim në Kuvend.

Selimi bëri të ditur se sa i përket versionit aktual të demarkacionin, Vetëvendosje ruan të njejtat qëndrime.

“Ajo që duhet të dijë opinioni është që Lëvizja Vetëvendosje i ka të njejtat qëndrime për Demarkacionin për versionin aktual, për versionin e Thaçit i ka të njejtat qëndrime”, pohoi ai.

Në anën tjetër, Selimi i pyetur nga Gazeta Blic për një përdorim të mundshëm të gazit lotsjellës, si masë kundërshtuese për këtë marrëveshje tha se tashmë, nuk ka nevojë për veprime të tilla sepse Vetëvendosje i ka sofistikuar mjetet.

“Në mandatin e kaluar kemi përdorur mjete të tjera në mungesë të mjeteve që i kemi sot, ne i kemi sofistikuar mjetet tashmë nuk jemi 16 deputetë, por 32 deputetë, nuk ka nevojë për pengesa tjera, sepse ne do ta pengojmë me votë dhe do të jetë e mjaftueshme”, shtoi deputeti i Vetëvendosjes.

Vetëvendosje është e bindur se komisioni për shënjimin e kufinjëve në krye me Shpejtim Bulliqin do të sjell të gjetura të reja, me anë të të cilave sipas tyre Kosova nuk do të humb territor.

‘”Të gjeturat që do të sjell komisioni i ri ne i kemi ditur edhe më herët, marrëveshja është e padrejtë dhe e dëmton Kosovën, nuk kemi nevojë për protesta sepse I kemi 32 deputetë”, përfundoi Selimi.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ne mbledhjen e nesërme do ta shqyrtoj projektligjin për Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi.

Në ketë mbledhje do të diskutohet edhe raporti i ish- komisionit të kaluar shtetëror për demarkacionin me Malin e Zi, qe udhëhiqe nga ana e Murat Mehës.

Të ngjashme