Selimi: Haradinaj gjatë vizitës në New York u sabotua nga ambasada e Kosovës në SHBA

Prishtinë | 09 Maj 2022 | 21:57 | Nga Ekonomia Online

Ish-ministri i Drejtësisë Selim Selimi, ka komentuar vizitat e liderëve shtetërorë në vende të ndryshme të botës.

Kryeministri Albin Kurti po qëndron në vizitë në SHBA, Presidentja Osmani në Amerikën Latine, derisa ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla në Izrael.

Për vizitë në SHBA po qëndron edhe lideri i AAK-së Ramush Haradinaj.

Selimi në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini thotë se nga vizitat e bartësve të institucioneve, me vlerë ishte vetëm vizita e Gërvallës në Izrael.

“Nga tri vizitat e bartësve të politikës së Jashtme, vetëm vizita e zonjës Gërvalla në Izrael ka pasur kuptim pasi ka qenë vizitë pune dhe e planifikuar. Sa i përket vizitës së Presidentes, ajo ka karakter ceremonial. Ajo është dashur të bëjë vizita lobuese në vendet që nuk e kanë njohur Kosovën”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Selimi thotë se ende është mister agjenda e vizitës së Kurtit në SHBA.

“Njoftimi është se Kurti do të takohet me zyrtarë të Administratës. Por nuk është marrë të na tregohet se me kë do të takohet edhe nëse janë nivele të ulëta, por megalomania e Kurtit se ai takohet vetëm me liderë botërorë nuk e lejon atë të tregoj për takimet në SHBA”.

Ish-ministri i Drejtësisë thotë se vizita e Haradinajt në SHBA është sabotuar nga ambasada e Kosovës në Amerikë.

“Ambasada zyrtarisht është lajmëruar për këtë vizitë, por ka ndodhur një sabotim i kësaj vizite për shkak se konsullata në New York nuk ka marrë leje nga ambasada në Washington për të organizuar takime me bashkatdhetarë në hapësirat e konsullatës”, deklaroi ndër të tjerë Selim Selimi.

Të ngjashme