Selimi: VV-ja s’pranon afat nga Kushtetuesja që nuk është i shënuar në Kushtetutë

Prishtinë | 28 Maj 2020 | 21:10 | Nga Ekonomia Online

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se për këtë parti nuk do të jetë i pranueshëm ndonjë afat që do të vendos Gjykata Kushtetuese.

Selimi ka thënë se gjyqtarët e Kushtetueses janë njerëz që janë zgjedhur nga Kuvendi dhe mund të gabojnë.

Ai thotë se s’ka si të pranohet një vendim i padrejtë.

“Disa herë është bërë me të drejtë kjo pyetje. Dhe përgjigjja s’ka si të jetë e ndryshme. Nëse vendimi i Kushtetueses mund të merrej jo në përputhje me Kushtetutën atëherë s’ka si të jetë i pranueshëm”, tha ai në Rtv Dukagjini.

Selimi thotë se kanë besuar se Kushtetuesja do të merr vendim të drejtë prandaj i janë drejtuar.

“Nuk duhet t’i shenjtërojmë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Ata janë njerëz dhe ne besojmë se do të marrin vendim të drejtë”.

Ai ka thënë se Gjykata Kushtetuese vetëm interpreton Kushtetutën dhe nuk bënë ndonjë amandamentim të Kushtetutës, përcjell Telegrafi.

“Nëse Kushtetuesja vendos ndonjë afat që nuk është i përshkruar në Kushtetutë ne do të kërkojmë ku është i shënuar ai në Kushtetutë”, tha ndër të tjera Rexhep Selimi.

Të ngjashme