Selmanaj dhe ambasadorët e BE-së diskutuan për ri-organizim të strukturave të ish-MIE-së

Prishtinë | 18 Nën 2020 | 13:27 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministrit i Republikës së Kosovës, Driton Selmanaj, gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një bisedë virtuale me Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Ambasadorin Tomáš Szunyog dhe ambasadorët e BE-së në Kosovë, rreth ri-organizimit të strukturave të ish Ministrisë së Integrimit Evropian (MIE) në kuadër të Zyrës së Kryeministrit (ZKM).

Zëvendëskryeministri Selmanaj, njoftoi ambasadorët për nënshkrimin e Rregullores Nr. 01/2020 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Zyrën e Kryeministrit (ZKM) nga Kryeministri Avdullah Hoti, si dhe përpilimin e Organogramit të ri të Zyrës së Kryeministrit.

Zëvendëskryeministri Selmanaj, potencoi se strukturat organizative të ish Ministrisë së Integrimit Evropian (MIE) do të ruajnë strukturën e tyre të plotë dhe funksionet të cilat i kanë ushtruar deri tani me qëllim të ruajtjes së njohurive dhe përvojës që është zhvilluar ndër vite.

Gjatë kësaj bisede, zëvendëskryeministri Selmanaj theksoi faktin që zbatimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim (MSA) dhe Agjenda e Reformave Evropiane (ARE2)  janë tejet të rëndësishme për të siguruar rrugën e Kosovës drejtë integrimit evropian. Zëvendëskryeministri Selmanaj, po ashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Organizatat e Shoqërisë Civile (OSHC) si parakusht i nevojshëm për zbatimin dhe monitorimin efektiv të reformave dhe Planit të Veprimit për ARE 2.

Zëvendëskryeministri Selmanaj, në fund të takimit shprehu pakënaqësitë e tij në lidhje me procesin e stërzgjatur të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Z. Selmanaj theksoi se një rezultat pozitiv lidhur me liberalizimin e vizave do të hapte mundësitë për një qasje të ripërtrirë në zbatimin e të gjitha reformave të domosdoshme për Republikën e Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme