Selmanaj: Haxhiu paradite shkon në seancë gjyqësore, pasdite në Ministrinë e Drejtësisë

Prishtinë | 13 Pri 2021 | 22:00 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i LDK’së, Driton Selmanaj, në emisionin Pressing të T7, ka thënë se aktualisht kemi kryeministër që është i dënuar për vepër penale dhe ministra që përballen me drejtësinë.

Selmanaj tha se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, paradite përballet me drejtësinë në seancë gjyqësore, e pasdite shkon në Ministrinë e Drejtësisë.

“Ne kemi një kryeministër që është i dënuar për vepër penale. Kemi një ministër që ka aktakuzë për shpërdorim të detyrës zyrtare z. Liburn Aliu. Kemi një ministre të Drejtësisë që paradite shkon në seancë gjyqësore, e pasdite shkon në Ministri të Drejtësisë. E kemi një u.d të shefit të grupit parlamentar që ka aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare në Kosovë për privatizim që lidhet me hidrocentralet”, është shprehur Selmanaj në T7.

Tutje, Selmanaj tha se vetëm një nga këto po ta kishte ish-kryeministri Hoti, do të ishte sulmuar nga të gjithë, derisa Kurti i ka të gjitha më lartë.

“Sikur Hoti ta kishte vetëm një nga këto ishim sulmuar nga të gjithë, e këta i kanë të gjitha këto dhe konsioderohet në rregull”, shtoi Selmanaj.

Të ngjashme