Selmanaj: Kam dilema rreth vendimit për uljen e pagave

Prishtinë | 07 Mar 2020 | 23:27 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë se ka dilema rreth vendimit të qeverisë Kurti për uljen e pagave, nëse ai është i kundërligjshëm apo jo.

“Kam dilemat e mia rreth vendimit për ulje të pagave, sado që ka qenë qëllim i mirë, sado që populli e ka prit mirë, por ai vendim ka mund të merret edhe ndryshe, sepse tash vjen Ligji për Buxhetin këtu dhe ka mund të vijë si propozim dhe Kuvendi e kish kalu ashtu, deri sa kish dal aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për Ligjin e pagave”, ka thënë Selmanaj, në emisionin “Betimi për Drejtësi”.

Selmanaj ka thënë se duhet ndarë qëllimin e mirë prej vendimeve të ligjshme e paligjshme.“Nëse ai vendim ka qenë i kundërligjshëm, për rritje të pagave, e pse nuk është i kundërligjshëm vendimi për ulje të pagave?

Qëllimi i jashtëzakonshëm, duhet të kuptojmë, duhet ta ndajmë qëllimin e mirë prej vendimeve të ligjshme e paligjshme”, ka thënë ai.

Selmanaj deklaroi se duhet qenë të kujdesshëm në marrjen e vendimeve të tilla, pavarësisht faktit se dikush t’i marrë ato si rezultat i mungesës së përvojës institucionale dhe njohurive elementare për ligjet në Kosovë.

“Prandaj ne duhet të jemi të kujdesshëm, pavarësisht që mund dikush të marrë vendime të tilla si rezultat i mungesës së përvojës institucionale dhe njohurive elementare për ligjet në Kosovë, por megjithatë është Zyra Ligjore e Kryeministrit, janë institucionet që kanë vijimësi aty, që duhet së paku opinioni ligjor të jetë i saktë.”, ka thënë kryetari i Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Të ngjashme