Serbët të nervozuar: Thaçi në vend të Asociacionit, i prezantoi Lajçakut një listë dëshirash

Prishtinë | 14 Tet 2020 | 14:37 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë Petar Petkovic ka thënë se në takimin me Lajçakun, presidenti Thaçi i ka dhënë atij një listë dëshirash në vend të formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Pasuesi i Gjuriqit ka thënë se Thaçi është dashur ta informojë Lajçakun se kur do të fillojë themelimi i Asociacionit dhe jo t’i japë atij një listë me fantazirash në lidhje me njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB, shkruan Tanjug.

Emisari i BE’së sot ka takuar Presidentin Thaçi ku kanë biseduar në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.

Thaçi pas takimit me Lajçakun ka deklaruar se i ka shprehur atij kërkesën që BE’ja të vendosë në tavolinën e bisedimeve një marrëveshje përfundimtare mes dy shteteve që do të nënkuptonte njohjen reciproke.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe ka bllokuar dialogun e nisur këtë vit pas 20 muajsh ndërprerje.

Përderisa pala kosovare ka refuzuar të bisedohet për këtë çështje, pala serbe ka insistuar që Asociacioni të themelohet ashtu siç është nënshkruar në Bruksel në vitin 2013.

Të ngjashme