Serbia dhe jostabiliteti politik i brendshëm, arsyet e dështimit të Kosovës në proceset integruese

Prishtinë | 19 Qer 2020 | 07:29 | Nga Ekonomia Online

Dështimet e Kosovës në politikën e jashtme janë të prekshme. Mos-liberalizimi i vizave, mungesa e njohjeve, ç’njohjet dhe dështimi për anëtarësim në organizata të huaja kanë bërë që tash e sa vite, Kosova ta ketë pikë të dobët politikën e jashtme.

Kosova gjatë viteve të fundit ka pasur shumë pak njohje të pavarësisë, e në anën tjetër fushata e çnjohjeve nga diplomacia serbe ka rezultuar e suksesshme.

Mos-liberalizimi i vizave për Kosovën edhe pas plotësimit të kushteve është parë shpesh si dënim i Bashkimit Evropian, por në anën tjetër, Kosova ka dështuar gjithashtu të jetë pjesë e shumë organizatave me rëndësi.

Aktualisht Kosova është pjesë e Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Federatës Botërore dhe asaj Evropiane të Futbollit, Komitetit Olimpik, Organizatës Botërore të Doganave dhe pjesë e CEFTA-s.

Karshi anëtarësimit në këto organizata të cilat janë me karakter ekononik dhe sportiv, Kosova ka dështuar të jetë pjesë e organizatave më të mëdha që trajtojnë më tepër politikat gjeo-politike e gjeo-strategjike, ato të sigurisë dhe partneriteteve me rëndësi.

Kosova nuk është ende pjesë e OKB-së, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë e madje nuk është pjesë as e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, gjithashtu, duke dështuar të anëtarësohet edhe pas disa tendimeve në INTERPOL dhe UNESCO.

Por ku qëndron problemi i gjithë kësaj? Njohësi i politikave të jashtme dhe profesori Avni Mazreku për lajmi.net është shprehur se jo-stabiliteti i brendshëm politik i Kosovës ka bërë që kjo e fundit të dështojë në procesin e anëtarësimit në organizata të huaja.

“E para Kosova pse nuk ka sukses në politikë të jashtme është pikërisht inercioni nga Serbia në institucionet e Kosovës në raport me politikën e jashtme, pra pikërisht jo-stabiliteti të brendshëm dhe një politike jo-koherente të Kosovës sa i përket anëtarësimit në organizata të huaja”, tha Mazreku.

Mazreku gjithashtu shprehet se Serbia ma ushtruar një politikë shumë efektive në pengimin e Kosovës për anëtarësim në organizata të huaja dhe së këndejmi, Serbia gjithashtu e ka kontestuar sovranitetin e Kosovës, duke marrë parasysh se siç shprehet Mazreku “sovraniteti i një vendi artikulohet me anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”.

“E dyta, është shkaku i një politike shumë efektive e atyre që provojnë me pengu anëtarësimin e Kosovës që fatkeqësisht deri më tani kanë pasur sukses, pra politika e jashtme e Serbisë e ka prioritet, primar, pengimin e Kosovës në anëtarësimin në Organizata Ndërkombëtare sepse ata e dinë që sovraniteti i një vendi artikulohet duke u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare dhe duke e preventuar anëtarësimin e Kosovës në Organizata Ndërkombëtare, Serbia drejtpërdrejt e konsteston sovranitetin e Kosovës, si politikë primare, këto dy çështje i shoh si kritike për këtë punë”, tha Mazreku.

Më tutje, lidhur me çështjen e dialogut, Mazreku tha se Serbia e ka përdorur këtë proces për të penguar Kosovën, edhe me anëtarësimin në organizata – por edhe me fushatën për çnjohje e cila ka rezultuar me 15 shtete që i kanë tërhequr njohjet për pavarësinë e Kosovës.

“Sa i përket dialogut, dihet se tani i ka gati një dekadë, dhe Serbia e ka përdorur këtë proces gjatë tërë kohës për ta ushtruar politikën e jashtme siç thamë, në pengimin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, por edhe me fushatën e tërheqjes së njohjeve që fatkeqësisht ka pasur sukses dhe deri më tani 15 shtete e kanë tërhequr njohjen për Kosovën, por edhe shtetet të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, Serbia ka arritur t’i bind të votojnë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare”, tha Mazreku për lajmi.net.

Profesori Mazreku i pyetur nëse pas marrëveshjes me Serbinë, Kosovës do t’i hapen rrugët për anëtarësim në organizata të huaja, ai tha se kjo nuk ka lidhje të domosdoshme.

Sipas tij, anëtarësimi në OKB varet edhe nga shtete të tjera të fuqishme, por nëse flasim për organizata të tjera, të gjitha i kanë politikat e veta të brendshme dhe kjo varet prej tyre.

“Nëse flasim për OKB, pavarësisht arritjes së një marrëveshje, konfigurimi i OKB-së është i tillë që nuk e garanton anëtarësimin e Kosovës automatikisht në momentin e arritjes së marrëveshjes, edhe nëse Serbia nuk e pengon anëtarësimin e Kosovës, atëherë janë dy shtete që kanë shumë ndikim në proceset vendimmarrëse të OKB-së që janë Kina dhe Rusia e që janë hapur kundër pavarësisë së Kosovës dhe kundër anëtarësimit të Kosovës në OKB, nëse flasim për organizata të tjera, atëherë kjo varet prej numrit të votave pro dhe secila organizatë i ka politikat e veta të brendshme”, tha Mazreku.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme