Serbia insiston në ekstradimin e Ramush Haradinajt

Prishtinë | 13 Jan 2017 | 14:43 | Nga

Serbia nuk do të tërhiqet nga kërkesa për ekstradimin e Ramush Haradinajt, ka deklaruar ministrja e Drejtësisë në Qeverinë serbe, Nella Kuburoviq.

Në një konferencë për gazetarë, Kuburoviq, bashkë me shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, kanë theksuar se do të aplikojnë masa reciprociteti ndaj Francës dhe vendeve të Bashkimit Evropian nëse refuzohet kërkesa për ekstradim.

“Shpresojmë që organet franceze të drejtësisë do të sillen në mënyrë profesionale”, ka thënë Kuburoviq, sipas së cilës, në aktakuzën e zgjeruar ndaj Haradinajt nga prokuroria serbe, janë përfshirë edhe 30 dëshmitarë.

Gjuriq, ndërkaq, ka theksuar se Serbia nuk do të ndalet në përndjekjen e personave të kërkuar për krime lufte, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.

Qeveria e Serbisë ka shqyrtuar sot vendimin e gjykatës franceze, e cila liroi me kusht ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, pasi që i njëjti ishte ndaluar më 4 janar nga policia franceze mbi mazën e një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia përmes INTERPOL-it.

Prokuroria e serbe për krime lufte pretendon se Ramush Haradinaj ka kryer krime lufte në Kosovë gjatë periudhës 1998-99, pavarësisht se Haradinaj, mbi akuzat e njëjta, ishte gjykuar dhe shpallur i pafajshëm në dy raste, në proceset që janë zhvilluar nga Tribunali i Hagës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme