“Serbia, kërcënim për Kosovën – Rritja e forcave të KFOR-it, nevojë urgjente” – Kurti flet për “Welt”

Prishtinë | 26 Gus 2022 | 10:31 | Nga Ekonomia Online

Serbia është kërcënim për Kosovën, i tha kryeministri kosovar, Albin Kurti, të përditshmes gjermane “Welt”, transmeton gazeta online Reporteri.net.

Në pjesën veriore të Kosovës, Serbia vazhdon të ndërtojë struktura ilegale, shpjegoi kryeministri për gazetën gjermane.

Përveç kësaj, problematike është mirëmbajtja e “lidhjeve të ngushta” të Serbisë me Rusinë.

Në lidhje me njërën nga masat e reja reciproke, përkatësisht për lëshimin e lejeudhëtimeve, Kurti tha se me presidentin serb mund të pajtohet nëse edhe ai heq dorë nga ato.

Pyetur se “a po luan Putin me zjarr në Kosovë”, kryeministri u shpreh se “as Putin e as Vuçiç nuk mund të abuzojnë me minoritetin serb të Kosovës”.

“Qytetarët e rëndomtë nuk marrin pjesë në politikat luftënxitëse kundër shtetit tonë”, tha Kurti.

Por, një gjë të tillë, “e bëjnë ata që janë nën paga të Beogradit”.

“Këta kriminelë”, vazhdoi ai, “qëllimisht nxisin trazira”.

Shteti i Kosovës është vigjilent ndaj këtyre ngjarjeve, u shpreh i bindur kryeministri. “Nuk frikësohemi nga këta kriminelë”.

Nevojiten përforcime të forcave të KFOR-it

Serbia ka 48 baza ushtarake përreth Kosovës, rikujtoi ai.

Për shkak të bashkëpunimit të ngushtë ushtarak mes Serbisë dhe Rusisë, kryeministri tha se “kemi nevojë urgjente për të rritur konsiderueshëm numrin ushtarëve të NATO-s në Kosovë”.

“Kjo definitivisht do të përmirësonte sigurinë tonë”.

Gjithashtu, tha ai, ndihmë do të ishte po të kishte edhe më shumë trupa gjermane, gjë që, sipas tij, “do të forconte parandalimin” [e ndonjë përshkallëzimi].

Përveç kësaj, Kurti tha se trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR-i, “do të na ndihmonte që të edhe më tutje të shtrinim strukturat dhe kapacitetet e sigurisë”.

Aplikimi në BE, jo më larg se këto Krishtlindje

Këtë vjeshtë, e më së largu në Krishtlindje të këtij viti, Kosova aplikon për anëtarësim në BE, i tha Albin Kurti gazetës gjermane.

Por, se pse mendon se Kosova ka gjasa e duhet të anëtarësohet në BE, ai tha se “ne jemi vendi më pro-demokratik e pro-perëndimor në Ballkanin Perëndimor”.

“Përveç kësaj, siguria e kontinentit evropian është e kërcënuar pas sulmit krejtësisht të pajustifikuar të Rusisë ndaj Ukrainës. Pra, do të ishte e rëndësishme të kishit një partner të qëndrueshëm në Kosovë në krahun tuaj në Ballkanin Perëndimor. Pra, të dyja palët do të përfitonin njëlloj”.

Megjithëkëtë, ai tha se “sigurisht” se nuk pret që Kosova të anëtarësohet sivjet ose tjetrin.

“Do të ishte absolutisht e nevojshme një kornizë kohore nga Brukseli me piketa për t’u arritur”.

“Do të ishte e rëndësishme që dikush me ndikim në BE të ngrihet dhe të thotë: Të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i bashkohen BE-së deri në vitin 2030”, tha kryeministri.

Ky është një premtim evropian që nga viti 2003, rikujtoi ai.

Nga Kosova s’duhet frikësuar askush, vazhdoi ai. “Të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor së bashku me 18 milionë banorë janë sa Holanda”.

“Fuqia ekonomike korrespondon me produktin e brendshëm bruto të Sllovakisë. Përveç kësaj, çdo i treti banor i Ballkanit Perëndimor nuk jeton më sidoqoftë në shtëpi, por diku në Evropën Perëndimore, kryesisht në Gjermani”, përfundoi kryeministri.

Të ngjashme