Serwer: “Non-paperi” e bën Kosovën më pak sovrane, Serbisë i ofron marrëveshje të mirë

Prishtinë | 29 Pri 2021 | 21:45 | Nga Ekonomia Online

Eksperti amerikan për çështjet e Ballkanit, Daniel Serwer, ka komentuar dokumentin jozyrtar të njohur si “non-paper” që thuhet se është i përgatitur nga Gjermania dhe Franca, si nismë e përbashkët e këtyre dy shteteve për rifillimin e dialogut dhe arritjen e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Veç tjerash, në atë dokument theksohet se në Kosovë do të krijohet një “distrikt autonom i Kosovës së veriut” sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Kisha Ortodokse Serbe do të ketë “status të privilegjuar”, ndërsa Serbia, pas ratifikimit të Marrëveshjes ligjërisht obliguese, obligohet se “nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe rajonale”.

Serwer ka thënë se përderisa ky dokument pohon sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, në praktikë kërkon që nga ana tjetër, Prishtina ta dorëzojë zbatimin e sovranitetit në veri.

“Ndërsa pohon sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Kosovës dhe Serbisë, në praktikë ky propozim kërkon që Prishtina të dorëzojë zbatimin praktik të sovranitetit mbi zhvillimin ekonomik, shëndetësinë, planifikimin urban dhe rural në komunitetet serbe si në veri dhe në jug të lumit Ibër si dhe sovranitetin mbi dhjetëra vende dhe objekte të Kishës Ortodokse Serbe, zonat mbrojtëse të cilat do të shtriheshin në një mënyrë të padefinuar”, ka thënë Serwer.

Distrikti autonom, ashtu siç edhe quhet në “non-paper”-in, Serweri thotë se i lë vetëm një shtrirje të paqartë Kushtetutës së Kosovës në veri të vendit, aty ku jetojnë shumica serbe.

Sipas tij, kjo i ofron më shumë Serbisë dhe i kërkon më pak dhe se Kosova nuk merr asgjë përveç premtimeve të mjegullta.

“Në kthim, Prishtina praktikisht nuk merr asgjë: nuk merr njohje bilaterale nga Serbia dhe anëtarësim në Kombet e Bashkuara, vetëm premtime të paqarta të trajtimit si shtet sovran, përfshirë shkëmbimin e misioneve diplomatike të përcaktuara keq. Presidenti Vuçiq kishte të drejtë kur tha se kjo ofron më shumë se sa plani i Ahtisaarit. Ofron një marrëveshje më të mirë për Serbinë dhe kërkon më pak nga Beogradi”.

Krejt çka duhet bërë për të kuptuar se ky dokument është i padrejtë, ka thënë Serwer, është të ngrihet pyetja nëse Beogradi është i gatshëm për reciprocitet – fuqizimi i komuniteteve me shumicë shqiptare në Serbi ashtu siç propozohet për serbët në veri.

“E tëra çfarë duhet të bëni për të kuptuar padrejtësinë e thellë të këtij propozimi është të pyesni nëse Beogradi do të ishte i përgatitur ta bëjë atë reciprok, duke fuqizuar komunitetet me shumicë shqiptare në jug të Serbisë në mënyrën e njëjtë siç propozohet këtu për komunat me shumicë serbe të Kosovës. “Jo”, është përgjigja. Serbia as nuk do të ishte e gatshme të ofronte shtrirje të papërcaktuar të zonave të mbrojtura rreth xhamive brenda Serbisë. Reciprociteti është një nga rregullat bazë të shteteve sovrane. Ky propozim do ta linte shtetin e Kosovës dukshëm më pak sovran sesa që është sot, ndërsa i kërkon Beogradit të bëjë më shumë sesa vetëm të vazhdojë të mbajë një përfaqësues në Prishtinë”, tha ai.

Publikimin e dy dokumenteve të tilla të njohura si “non-paper”, Serweri e ka quajtur luftë që nuk po i bën mirë paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme