Serwer: SHBA do t’i thotë jo ndryshimit të kufijve

Prishtinë | 15 Gus 2018 | 14:27 | Nga

Ndarja e Kosovës apo ndërrimi i territoreve do të jetë një rrezik i madh për gjithë Ballkanin dhe një gjë e tillë nuk do të pranohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka thënë Daniel Serwer, profesor në Universitetin, John Hopkins në Uashington, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, Serbia gjithmonë ka dashur ta ndajë Kosovën, por risi është insistimi i presidentit Hashim Thaçi që ta korrigjojë kufirin në pjesën lindore. Ai thotë se Serbia dhe Kosova tashmë kanë hapur Kutinë e Pandorës në Ballkan dhe duhet ta mbyllin sa më shpejt që është e mundur.

“Mendoj se pozicioni gjerman është kritik. Pa mbështetjen gjermane, kjo ide e korrektimit të kufijve, këmbimit të territoreve, ndërrim tokash, quajeni si të doni, thjeshtë nuk mund të shkojë më tutje. Mendoj se Serbia, gjithmonë ka qenë e interesuar në këtë ide. Vuçiqi e ka shtyrë këtë ide përpara edhe së fundmi, por ka qenë mendim i përbashkët në Beograd për një kohë të gjatë. Është risi që kohëve të fundit edhe presidenti Thaçi ka folur për këtë”.

“Personalisht mendoj se ishte gabim shumë i madh nga ana e tij. Vuçiq dëshiron të flasë vetëm për korrigjimin e kufirit në pjesën veriore, Thaçi dëshiron të korrigjojë kufirin e Kosovës vetëm në lindje dhe ju e dini se nuk ekziston vetëm një mënyrë e korrigjimit të kufirit”.

“Ata do të duhej ta shkëmbejnë territorin dhe një shkëmbim i territorit do t’u bënte dëm interesave të tyre, sepse Serbia gjithmonë ka dashur të mbajë kontrollin mbi rrugën veri-jugore drejt detit në Selanik dhe Kosova gjithmonë ka dashur të mbajë kontrollin mbi furnizimin me ujë (nga Liqeni i Ujmanit) në pjesën veriore”.

“Unë nuk mendoj se kjo marrëveshje mund të bëhet. Mendoj se Merkel ka bërë një favor të madh duke thënë jo. Mendoj se edhe amerikanët duhet thënë po ashtu jo. Kanë qenë të ngadalshëm për të bërë këtë por dua të besoj se do të thonë një jo të qartë dhe kritike”, ka thënë Serwer.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme