Sfarqa fajëson LDK-në që nuk e futi në listë Adem Salihajn

Prishtinë | 13 Qer 2017 | 18:21 | Nga

I pari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa, ka komentuar rënien e partisë së tij në zgjedhjet e fundit në Ferizaj.

Rezultatet preliminare të KQZ-së e nxjerrin koalicionin LAA të tretin në këtë komunë me rreth 12 mijë e 600 vota.

Më 2014, LDK-ja e vetme kishte pasur 13 mijë e 970 vota, ndërsa AKR-ja kishte pasur 1 mijë e 364 vota.

Për kreun e Komunës, rënia e LAA-së është ndikuar nga mungesa e Adem Salihajt në listën për deputet.

“Në Ferizaj, Vetëvendosja ka pasur 7 kandidatë për deputetë dhe 3 tjerë që kanë pasur lidhje me Ferizaj, p.sh. Dardan Sejdiu është i lindur në Ferizaj, ndërsa ne si LDK i kemi pasë 3 kandidatë, me koalicion i kemi pasë 5. Mendoj që është dashtë me pasë ma shumë kandidatë LDK-ja. Edhe mungesa e Adem Salihajt në listë ka pasë një reflektim. Ai ka qenë një hendikep”, tha Sfarqa për KALLXO.com.

Megjithatë, ai thotë se rënie e votave nuk ka qenë e madhe në këtë komunë, duke shtuar se s’ka pasur arsye të shkohet në zgjedhje.

“Unë mendoj që rënie nuk ka pasur shumë, ka pasur një rënie të lehtë. LDK-ja ka qenë duke qeverisur mirë, s’ka pasë arsye me shku në zgjedhje fare, e këto i ka shfrytëzuar shumë mirë Vetëvendosja duke qenë e vetmja alternativë përballë këtyre dy partive”, tha mes tjerash Sfarqa.

Edhe pse LDK me partitë e tjera nuk arriti më shumë se sa vendin e tretë në këtë komunë, kjo nuk e ndalë Sfarqën që t’i hyjë përsëri garës për të parin e komunës.

“Ato janë çështje të partisë, por në parim unë normal që do të kandidoj”, tha Sfarqa .

Sipas rezultateve zyrtare, të prezantuara nga KQZ pas numërimit të 99.88% të votave në nivel vendi, koalicioni i drejtuar nga LDK është radhitur i treti me 25,79% të votave, prapa koalicionit PDK-AAK-Nisma që ka fituar më së shumti vota – 33,91% dhe Lëvizjes Vetëvendosje – 27,16%.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme