Sfidat e krijimit të Qeverisë së re të Kosovës

Prishtinë | 13 Jan 2020 | 08:09 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike dështuan gjatë kësaj jave të gjejnë një zgjidhje për formimin e qeverisë së re ndërsa janë shënuar edhe më shumë se tre muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare

As këtë javë dy subjektet politike, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nuk arritën të gjejnë një zgjidhje për të formuar qeverinë e re të vendit.

Të dy subjektet për tri ditë me radhë u përfshinë në negociata për të përafruar qëndrimet për një marrëveshje për koalicion qeverisës, por pa sukses.

Lidhja Demokratike e Kosovës tha pas takimit të fundit që në mirëbesim dhe me vullnet për të arritur marrëveshje i ka paraqitur Lëvizjes Vetëvendosje ofertën për bashkëqeverisje, por pa dhënë asnjë hollësi rreth kësaj oferte.

Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje tha se bisedimet janë bërë më të dendura dhe se tash ka edhe mundësi më të reja në tryezë. Që nga këto deklarata, të dyja subjektet nuk kanë mbajtur më takime.

Bisedimet ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës rifilluan pas një pushimi të gjatë që pasoi mbledhjen e parë të parlamentit që u mbajt më 26 dhjetor, ku në krye të kuvendit u zgjodh Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje ndonëse përgjatë negociatave që nga zgjedhjet e 6 tetorit është thënë se ky post i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kjo thelloi hendekun ndërmjet dy partive që nuk po pajtoheshin rreth kërkesës së Lidhjes Demokratike të Kosovës që në kuadër të marrëveshjes për bashkëqeverisje të përfshihet edhe posti i presidentit të vendit.

Përgjatë negociatave janë hedhur ide nga më të ndryshme lidhur me marrëveshjen ndërsa i vetmi qëndrim i pandryshueshëm deri tash është këmbëngulja e të dyja partive se nuk ka alternativë tjetër përveç koalicionit ndërmjet tyre, me kusht që kjo të nënkuptojë edhe zgjedhje të reja, raporton Zëri i Amerikës.

Kosova ka përvoja të gjata të procesit të negocimit të koalicioneve qeverisëse.

Pas zgjedhjeve të vitit 2014 ishin dashur gjashtë muaj për të gjetur një zgjidhje.

Vëzhguesit ndërkaq thonë se vendi ndodhet aktualisht në një periudhë kur duhet të përshpejtohen proceset për të shmangur zgjatjen e një boshllëku institucional apo edhe për të shmangur mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje në vend që të gjejë një zgjidhje.

Kosova mbajti zgjedhjet e katërta me radhë që nga shpallja e pavarësisë së saj në vitin 2008.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme