Sfidat e Qeverisë Haradinaj

Prishtinë | 02 Jan 2018 | 10:14 | Nga

Demarkacioni me Malin e Zi, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, shndërrimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës dhe dialogu me Serbinë, janë çështjet me të cilat Qeveria Haradinaj do të sfidohet gjatë vitit 2018.

Në fakt janë çështjet e njëjta me të cilat janë marrë edhe Qeveritë tjera. Analistët politikë, vlerësojnë se këto tema politike, po i lënë anash temat tjera që prekin direkt jetën e qytetarëve.

Viti 2017 u mbyll pa gjetur zgjidhje për Demarkacionin me Malin e Zi, pa liberalizim të vizave, pa krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, e pa shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura. Këto janë tema politike të cilat kanë qenë sfidë edhe për qeveritë e kaluara, por edhe për Qeverinë Haradinaj gjatë vitit 2017. Sipas analistit politik, Imer Mushkolaj, edhe gjatë vitit 2018, Qeveria Haradinaj do të përballet me sfida të njëjta politike, e jo me sfida që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik e me çështjet sociale të qytetarëve të vendit.

“Me demarkacionin si sfidë kjo qeveri ka filluar dhe me demarkacionin si sfidë, Qeveria Haradinaj do të vazhdojë gjatë vitit 2018. Por në anën tjetër presin edhe sfida të tjera, sikur që është krijimi i ushtrisë, krijimi i ASK-së, si një premtim që duhet përmbushur, por edhe dialogu me Serbinë”, tha Mushkolaj për Radio Kosovën.

Ndërsa profesori i të drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu thotë se institucionet do të sfidohet me kauzat e mëdha që e sfidojnë vendin tash e një kohë të gjatë, por ai thotë se duhet t’i kushtohet vëmendje edhe një tjetër çështje.

“Është një strategji e munguar e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit. Edhe kjo Qeveri është duke vazhduar me avazin e njëjtë sikur ato parapraket. Nuk vrasin mendjen për të krijuar ambient të zhvillimit ekonomik, në mënyrë që rinia të mos ikë dhe Kosova të mos zbrazet”, tha Baraliu për Radio Kosovën.

Megjithatë, Baraliu thotë se Qeveria aktuale ka një dinamikë më të madhe të veprimit.

“Dinamika duhet me mençuri dhe me ligjshmëri të bëhet, në mënyrë që thjesht të krijohe tnjë konsensus për çdo çështje me çdo kusht pozitë opozitë dhe gjithë shoqëria kosovare dhe pastaj të veprohet e në asnjë mënyrë me inate siç ka ndodhë deri më tani”, tha Baraliu.

Përveç sfidave politike, me të cilat Qeveria dhe Kuvendi do të përballen gjatë 2018-ës, edhe luftimi i krimit dhe korrupsionit, mbetet një prej sfidave kryesore. Këtë e tha ditë më parë edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Ruairi O’Connell, i cili tha se për Kosovën nuk ka sfidë më të madhe se luftimi i korrupsionit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme