Shala: Duket që paqja në Bosnjë dhe Hercegovinë nuk do të ruhet pa Amerikën

Prishtinë | 10 Nën 2021 | 16:38 | Nga Ekonomia Online

Analisti kosovar, Blerim Shala, po vlerëson se paqja në Bosnjë dhe Hercegovinë nuk do të arrihej asnjëherë pa Amerikën.

Derisa shkruan opinion për Klankosova.tv, për gjendjen e krijuar atje, sipas tij, paqja madje as s’do të mund të ruhet pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ajo paqe, në vitin 1995, nuk do të mbërrihej kurrë pa Amerikën. Dhe duket që as kjo paqja e tanishme, e vitit 2021, nuk do të ruhet pa Amerikën”.

Sipas Shalës zhvillimet e fundit tensionuese në Bosnjë dhe Hercegovinë ose do të sjellin luftë ose stabilizim të rajonit.

“Ende pa u përfunduar ky vit, mund të konkludohet që këto anë të Evropës kanë grumbulluar aq shumë probleme dhe tensione, të cilat mund të marrin trajtat e shpërthimeve të rrezikshme, ose edhe mund të shfrytëzohen si shkas për një mobilizim më të madh politik dhe diplomatik të Perëndimit për të stabilizuar një herë e mirë Ballkanin Perëndimor”, ka vazhduar Shala.

Shala për këtë çështje thotë se do të duhej të ndodhnin reforma politike dhe legale që kërkon pajtimin e përfaqësuesve të shteteve fqinje.

“Në rastin e Bosnjës dhe Hercegovinës, duhet të ndodhë reforma politike dhe legale, e cila kërkon pajtimin e përfaqësuesve të tre popujve konstitutiv (boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve), dhe të dy shteteve fqinje (Kroacisë dhe Serbisë)”, është shprehur ai.

Të ngjashme