Shala: Fushata ishte fer, partitë të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve

Prishtinë | 10 Qer 2017 | 12:27 | Nga

Sot mbretëron heshtje zgjedhore, ndërsa nesër më 11 qershor votohet për zgjedhjet e jashtëzakonshme, pas votimit të mocionit që rrezoi qeverinë Mustafa.

Se si ishte fushata, çfarë pritet pas zgjedhjeve, a do të ketë ndryshime të mëdha në vend pas premtimeve madhore të partive politike, a do të pranohet rezultati i zgjedhjeve nga partitë/koalicione, për lajmi.net ka folur kryetari i KMDLNJ-së Behgjet Shala.

Shala tha, se pas zgjedhjeve nuk do të ketë përparime të mëdha në vend dhe nuk do të ketë shumë ndryshime që u pretenduan nga partitë politike në fushata.

“Nuk do të ketë ndryshime të mëdha nga këto zgjedhje pasi të gjithë akterët janë të njohur, të gjithë akterët kanë qenë edhe më herët në pushtet apo në opozitë, pra janë ndryshuar herë në pushtet e herë në opozitë, por nuk garantohet se do të ketë ndonjë përparim të madh”, ka thënë ai.

Përgjegjësi të mëdha do të ketë ai që do të merr mandatin për të qeverisur, ka deklaruar Shala, raporton lajmi.net.

“Megjithatë, ai i cili do e merr mandatin për të qeverisur vendin, i merr disa përgjegjësi e cila e dallon nga partitë e tjera. Do të ketë një lëvizje, por jo në aspektin ekonomik, pasi që aspekti ekonomik në Kosovë nuk ka as programe as projekte zhvillimore, nuk ka as përkrahje ndërkombëtare të cilat e qojnë në një drejtim, më shumë do të ketë pasoje apo lëvizje të natyrës politike”, ka theksuar kryetari i KMDLNJ-së.

Ai vlerësoi se kush do që e merr pushtetin do të ketë problem ta realizojë programin për të cilin është angazhuar apo për të cilin ka bërë fushatë gjatë kësaj kohe.

“Realisht në të gjitha fushatat ka premtime që në asnjë mënyrë nuk mund të përmbushën, në këtë fushatë ka pasur premtime t’i quaj pak më realiste, pak më normale. Nuk ka pasur më 200 mijë vende pune, por kanë qenë më të matur në deklarimin e premtimeve që do t’i përmbushin pas zgjedhjeve”, potencoi Shala.

Më tutje, Shala ka folur edhe për fushatën zgjedhore, “në përgjegjësi fushata ka qenë e mirë, paqësore, pa probleme, në përjashtim të serbëve që janë terrorizuar nga Beogradi.”

“Nuk do të ketë ndryshime të mëdha sidomos në planin e zhvillimit ekonomik, Kosova nuk ka kapacitete materiale apo financiare që të shkojë përpara me zhvillim ekonomik. Asnjë investitorë nuk do të investoj në një vend ku ende ka probleme politike, ku ende ka probleme me shtetet fqinjë, ka ende probleme te natyrës së sigurisë”, sqaroi ai.

Sido qofshin rezultatet, sipas Shalës, partitë politike duhet t’i pranon në mënyrë që të instalohet një kulturë demokratike dhe të mos nxjerrin probleme shtesë.

“Mbas zgjedhje nuk do të ketë një qeveri stabile, nuk do të ketë një lëvizje të madhe në kuptimin e sigurimin e votave të mjaftueshme për t’i shtyrë proceset përpara, por do të ketë pak ndryshime dhe do të ketë koalicione të tjera që do të hynë në thjerrëzën e dështimit apo të vrojtimit pak më afatgjatë”, ka thënë në fund Shala.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme