Shala: Kurti po zhytet në një rrugë në të cilën nuk ka program

Prishtinë | 27 Maj 2021 | 18:01 | Nga Ekonomia Online

Deputeti nga radhët e PDK’së, Ferat Shala ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për sjelljet ndaj opozitës.

I ftuar në emisionin Frontal në T7 me Arsim Lanin, ai ka thënë se janë shqetësuese reagimet jo të mira të Kurtit kur i jepen rekomandime nga opozita.

Ndërsa, Shala është shprehur se Kurti po zhytet në një rrugë në të cilën nuk ka program.

“Është e drejtë njerëzore deputeti me dhënë mendimin e tij. Është shqetësuese që Albin Kurti nuk ka përgjigje. Ai po zhytet në një rrugë në të cilën nuk ka program, nuk ka afat, nuk ka asnjë plan institucional që të jap përgjigje se çfarë do të ndodh nesër”, ka thënë ai.

Shala ka thënë se shqetësuese është edhe se kryeministri nuk jep përgjigje për mossigurimin e vaksinave.

Ai ka thënë se sa ngutet që t’i kap institucionet e pavarura, Kurti duhet të ngutet në sigurimin e vaksinave.

“A është shqetësuese që kryeministri nuk ka përgjigje pse nuk kemi vaksina? A ka kush që e shpjegon këtë punë? Pse spo ngutet kështu qysh po ngutet me i kap institucionet e pavarura për të siguruar vaksinat, por po i refuzojnë vaksinat nga shteti amë”, ka shtuar ai.

Të ngjashme