Shala merr pjesë në konferencën WATEC Italy 2017

Prishtinë | 22 Qer 2017 | 09:46 | Nga

Ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala po merr pjesë në konferencën WATEC Italy 2017, ngjarje kjo me karakter ndërkombëtar për inovacione në teknologjinë e sektorit të ujërave dhe mjedisit, që po mbahet në Palermo të Italisë.

Qëllimi i konferencës është të promovojë bashkëpunimin në mes kompanive të ndryshme nga sektori publik dhe privat në fushën e teknologjisë së ujërave dhe të ekspozojë produktet dhe shërbimet në këtë lëmi.

Në kuadër të konferencës treditore (21-23 Qershor) do të organizohen seminare, diskutime dhe prezantime e referime në lidhje me aspektet të ndryshme të sektorit të ujërave sikurse janë trajtimi i ujërave industriale, teknologjitë për filtrimin e ujërave, si dhe çështje që ndërlidhen me sfidat në sektorin e ujërave si fondet, investimet dhe bashkëpunimi. Një nga temat me të rëndësishme të konferencës është reduktimi i humbjeve të ujit dhe gjetjet e zgjidhjeve teknologjike për këtë çështje.

Në ditën e parë të konferencës Ministri Shala, ka qenë në panelin udhëheqës të sesionit hapës, ndërsa që në kuadër të sesionit të parë ka folur për gjendjen në sektorin e ujërave në Kosovë, politikat, sfidat dhe nevojat për investime në sektorin e ujërave në vendin tonë, me ç’rast u ka bërë thirrje kompanive pjesëmarrëse që të vijnë për të investuar në sektorin e ujërave në Kosovë.

Në delegacionin e Kosovës përveç Ministrit të MMPH, Ferat Shala janë edhe sekretari i përhershëm Arben Çitaku dhe këshilltari politik Agron Beka. Ministri Shala me bashkëpunëtorët e tij, gjatë ditës së parë të konferencës kanë vizituar edhe ekspozitën dhe standet e kompanive pjesëmarrëse dhe kanë realizuar takime me përfaqësues të bizneseve dhe ekspertë pjesëmarrës në këtë ngjarje. Kjo konferencë është një rast i mirë për përfaqësuesit e MMPH për të krijuar lidhje me investitorë të sektorit të ujërave dhe për të parë nga afër mundësitë teknologjike më të përshtatshme për sektorin e ujërave në vendin tonë.

Konferenca po mbahet nën patronatin dhe mbështetjen e Komisionit Evropian, Bankës Evropiane për Investime dhe Bankës Botërore. Pjesëmarrës të konferencës janë ekspertë nga institucionet qeveritare dhe bizneset nga vende të ndryshme të botës përfshirë edhe ata nga vendet e Evropës, SHBA, Japonia, dhe Izraeli.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme