Shala: Qeveria ka përkrahjen e komisionit për ta ndalur “gjakderdhjen financiare në veri”

Prishtinë | 21 Pri 2021 | 18:02 | Nga Ekonomia Online

Ferat Shala, kryetar i Komisionit për Ekonomi, thotë se Qeveria dhe partia në pushtet, Vetëvendosje, ka përkrahjen e tij dhe të anëtarëve të tjerë të komisionit për nismën që të ndalet pagesa për shpenzimet e rrymës në veri.

Deputeti i PDK-së, Shala, në Express Intervistën në KTV, tha se Qeveria nuk bën të heqë dorë nga premtimi i bërë gjatë fushatës për të “ndalur gjakderdhjen financiare” në veri.

Shala ka komentuar kërkesën e KOSTT-it për 11 milionë euro për shpenzimet e energjisë në veri të vendit, ku tash e pasluftës nuk paguhet energjia.

Ai thotë se kjo buron nga marrëveshjet ndërkombëtare e qeverive të kaluara, por tash është përgjegjësi e Qeverisë Kurti të paguajë këstin e radhës të kërkuar nga KOSTT-i.

Dhjetë milionë euro, për të njëjtin qëllim ishin ndarë edhe vitin e shkuar.

“Problematika e kësaj kërkese ka një historik të hershëm, problematikat e sistemit energjetik të Kosovës janë zhvilluar bashkërisht me shtetin. Kosova është e integruar në Rrjetin e Transmisionit Energjetik të Evropës dhe kjo është e arritur e madhe si dhe jemi pjesë e Bllokut Rregullues me Shqipërinë. Gjatë procesit për ndarje nga tregu energjetik serb, ka qene i involvuar edhe spektri politik kosovar dhe ai ndërkombëtar dhe nga aty ka rrjedh një obligim dhe Qeveria është zotuar që derisa të bëhet një zgjidhje, obligimet i merr vet, dhe me këtë kusht jemi pranuar”, ka thënë Shala.

Tash pas kërkesës së re të KOSTT-it, në komision është diskutuar dhe ka pajtim që të ndalet pagesa për rrymën e shpenzuar në veri. Sipas tij, ishte kërkesë e tre deputetëve të VV-së dhe ajo u përkrah nga të tjerët.

“Nëse ka diçka të mbarë, ajo ka ndodhur dje, dakordimi që të shkëputet pagesa apo gjakderdhja financiare siç e ka quajtur VV-ja në fushatë. Kemi marrë një qëndrim unik që ta ndërpresim këtë rrjedhje të parasë. Në emër të partisë them se e mbështes, por obligimet e përgjegjësitë janë të ndara. Të gjithë deputetet jemi deklaruar se nuk duhet vazhduar me pagesë më, kemi qëndrim. Tash është çështje e qartë, ekzekutivi, dikasteret duhet të gjejnë alternativë legale, nuk ka arsye t’i biem pishman. Si kryetar i komisionit, do të insistojmë dhe do ta mbështesim”, ka thënë ai.

Shala tha se duhet të jetë prioritet për Qeverinë licencimi i një operatori që do të merrej me shpërndarjen e rrymës në veri ose duhet të integrohet ajo pjesë në kuadër të sistemit dhe operatorit aktual. Ai e sheh të mundshme këtë.

“Është e mundur, kemi avancim, është obligim kushtetues i qeverisë me bë këtë hap, është prioritet, s’ka stabilitet të sektorit energjetik pa shtrirje të kompetencave”, tha Shala.

Të ngjashme