Shala: Shkëmbimi i territoreve zhbërje e shtetit qëllim final jo Kosova, por Bosnja

Prishtinë | 03 Tet 2019 | 22:39 | Nga Ekonomia Online

Kujtim Shala nga LDK-ja ka thënë se Serbia e ka problem raportin me shtetin e Kosovës, dhe jo raportin me shqiptarët.

“Nëse lexojmë saktë në pretendimin që Serbia të fitojë diçka, çfarëdo qoftë, është pretendimi për zhbërjen e shtetit të Kosovës”.

“Serbia s’e ka problem themelor raportin me shqiptarët, e ka problem themelor politik dhe më të thellë psikologjik raportin me shtetin e Kosovës”.

“Ky është problemi dhe kjo është pengesa që e krijon ngërçin dhe që ne nuk mund të ecim më tutje në rrafshin politik, sidomos në rastet kur e kemi pranuar që po flasim për çështje të pastra politike”.

Ai në Zonën Zgjedhore të Klan Kosovës ka thënë se qëndrimet e Bashkësisë Ndërkombëtare nuk kanë qenë unike viteve të fundit.

“Duhet ta rikujtoj se edhe SHBA-të fillimisht thoshin se do të pranonin çfarëdo marrëveshje mes palëve, ndërkaq gjatë vitit të fundit ky qëndrim është tjetër – që nuk do të pranohet çfarëdo marrëveshje që do të mund të arrinin palët”.

“Pse? Sepse do të jetë edhe çështje e trajtimit ndërkombëtar. Duket që dallimi është vetëm në nuanca, por ky është dallim thelbësor”.

Shala ka folur edhe për atë se çfarë mund të ndodhë nëse një shkëmbim i mundshëm i territoreve ndodh mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, qëllimi final i kësaj ideje të përfolur nuk është Kosova, por Bosnja dhe Hercegovina.

“Çfarë do të ndodhte nëse ne i hyjmë shkëmbimit të territoreve? Ky do të ishte procesi i zhbërjes së shtetit tonë dhe ky proces nuk do të ndalej këtu sepse mendoj se qëllimi nuk është Kosova, por qëllimi final është Bosnja dhe Hercegovina”.

“Po mërzitem për Serbinë e Madhe. Një Kosovë që shkëmben territore është një copë territori me shqiptarë, jo me të gjithë shqiptarët, që s’mund të ketë të ardhme”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme