Shantazhi me dorëheqje

Prishtinë | 25 Maj 2019 | 08:05 | Nga Ekonomia Online

Kanë kërcënuar me dorëheqje kryetarët e sapozgjedhur të komunave të veriut, të banuara kryesisht me serbë.

Veprimin që e kishin ndërmarrë edhe nëntorin e vjetëm, janë zotuar se do ta përsërisin në rast se Qeveria e Kosovës nuk do ta heqë tarifën prej 100 për qind për produktet që kanë origjinë nga Serbia.

Në fund të nëntorit të vjetëm, kryetari i Mitrovicës Veriore, ai i Leposaviqit, ai i Zveçanit dhe kryetari i Zubin-Potokut braktisën funksionet, si shenjë pakënaqësie jo vetëm ndaj taksës, por edhe për arrestimet e serbëve të dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ata patën deklaruar edhe shkëputjen e komunikimit me institucionet e Kosovës. E në letrat e dorëheqjes që i kishin deponuar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Kosovës i ishin referuar me “Kosovë e Metohi”, emërtim që Serbia e përdor për shtetin të cilin e konsideron krahinë të veten. Megjithëkëtë, pas shpalljes së zgjedhjeve nga presidenti Hashim Thaçi, të dorëhequrit hynë vetë në garë , të cilën këtë të diele e fituan.

Kërcënimin me dorëheqje të sërishme ata e kanë bërë të premten, pas takimit që kanë pasur në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme