ShBA dhe Britania e Madhe thonë se duhet rishikuar roli i UNMIK-ut në Kosovë

Prishtinë | 13 Pri 2021 | 19:23 | Nga Ekonomia Online

SHBA-ja dhe Britania e Madhe kanë thënë se duhet rishikuar roli i UNMIK-ut dhe përgjegjësive të tij në Kosovë.

Këtë qëndrim e shpalosën përfaqësuesit e këtyre dy shteteve në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, njofton Klan Kosova.

“SHBA rithekson qëndrimin e vet që UNMIK-u ka përmbushur qëllimin e tij fillestar tashmë dhe duhet të ecë drejt përmbylljes. Ne ftojmë anëtarët, kolegët tanë që t’i japin fund UNMIK-ut, që t’i japin një rol me relevant Kombeve të Bashkuara dhe të lënë Kosovën që të përmbushë potencialin e vet”, ka thënë përfaqësuesi i SHBA-së.

Ndërkaq, ai i Britanisë së Madhe ka thënë se Kosova ka bërë një progres të pamasë që nga viti 1999 që kur është hartuar rezoluta 1244 por kushtet në 22 vite pas kësaj janë krejtësisht ndryshe tanimë.

“Pra, është koha për rishikim të gjithë rolit të UNMIK-ut dhe përgjegjësive të tij dhe për të siguruar që mandati të mbetet relevant dhe të funksionojë normalisht. Ne do të vazhdojmë bashkërendimin midis UNMIK-ut dhe OSBE-së”.

Britania e Madhe ka përgëzuar Kosovën për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike dhe ka lavdëruar për zgjedhjen e një gruaje në krye të shtetit dhe pese gra ministre, duke thënë se është shembull i mirë për rajonin.

Nga ana tjetër, SHBA ka kërkuar që të fillohet dialogu me Serbinë dhe që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“SHBA mbështesin fuqimisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, tanimë me qeverinë e re të Kosovës, ne mirëpresim planet e përfaqësuesit special të BE-së që të rifillojë dialogu në një të afërme të afërt. Është arritur progres nga palët edhe pse mund të mos shihet aty në raportet e këtij mëngjesi, por këto kanë kontribuar në përmirësim e jetës të qytetarëve në Kosovë dhe në Serbi. Ngjashëm zotimet e dhëna nga Kosova dhe Serbia në SHBA në shtator të vitit 2020 kanë përforcuar themelin e bashkëpunimit ekonomik, zhvillimit dhe normalizimit. Ne besojmë që ka shumë bazë të mirë dhe ka shumë pak kohë për të humbur. Kështu që SHBA inkurajojnë të dyja palët të zbatojnë marrëveshjet e kaluara dhe t’i qasen rifillimit të dialogut në mënyrë pragmatike dhe produktive, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit”.

Të ngjashme