SHBA-ja këmbëngul në rinisjen e shpejtë të dialogut, Qeverisë nuk i ngutet

Prishtinë | 14 Shk 2020 | 08:07 | Nga Ekonomia Online

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpeshtuar thirrjet për heqjen e taksës së vendosur ndaj produkteve serbe pas formimit të qeverisë së re të Republikës së Kosovës. Përmes një letre drejtuar kryeministrit Albin Kurti, sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo ka kërkuar largimin e tarifës 100 për qind dhe kthimin e palëve në tavolinën e bisedimeve. Sipas tij, tanimë është koha që mes Kosovës dhe Serbisë të krijohen raporte normale, të cilat në fokus kanë njohjen reciproke mes dy shteteve, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Mike Pompeo, ka kërkuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, heqjen e taksës ndaj mallrave serbe. Përmes një letre, e cila ka ardhur në adresë të Kurtit pak pas votimit të Qeverisë, Pompeo ka thënë se heqja e tarifës 100 për qind do të jetë e rëndësishme për kthimin e palëve në tryezën e bisedimeve.

Në anën tjetër, ditë më parë kryeministri Kurti ka paralajmëruar zëvendësimin e taksës me masën e reciprocitetit, por nuk ka bërë të ditur se kur do të ndodhë një gjë e tillë. Por Kurti ka thënë se Qeveria nuk do të ngutet sa i përket rinisjes së procesit të negociatave, ndonëse ka pohuar se ky proces nuk do të neglizhohet.

Se dialogu me Serbinë nuk do të jetë çështje urgjente ka pohuar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës Haki Abazi. Sidoqoftë, gjatë një bisede për gazetën Abazi ka bërë të ditur se Qeveria është duke punuar rreth strategjisë për rikthimin e bisedimeve me palën serbe.

Të ngjashme