ShBA-ja mbështet Qeverinë Hoti në përmirësimin e marrëdhënieve rajonale dhe forcimin e sundimit të ligjit

Prishtinë | 05 Qer 2020 | 18:10 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti priti sot në një takim njoftues ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip S. Kosnett.


Gjatë këtij takimi, kryeministri Hoti e falënderoi ambasadorin Kosnett për mbështetjen e përhershme të SHBA-ve për vendin tonë, si dhe pohoi vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për të punuar ngushtë me SHBA-të edhe në të ardhmen.


Po ashtu, kryeministri Hoti e njoftoi ambasadorin Kosnett për prioritetet e menjëhershme të qeverisë së re, siç janë: lufta kundër COVID-19 dhe rimëkëmbja ekonomike. Krahas këtyre, ai theksoi edhe prioritetet e tjera, si forcimi i shtetit, avancimi i demokracisë, luftimi i korrupsionit, rritja e punësimit, zhvillimi i tregut të lirë dhe marrja e përgjegjësive për dialogun.


Ambasadori Kosnett tha se Shtetet e Bashkuara do te vazhdojnë mbështetjen e saj për Kosovën, sidomos në përpjekjet për të përmirësuar marrëdhëniet rajonale, mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe forcimin e sundimit të ligjit – përfshirë këtu edhe luftën kundër korrupsionit.

Të ngjashme