Shefi i AKI-së u shkarkua për dy skandale

Prishtinë | 16 Shk 2017 | 08:20 | Nga

Deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca, ka thënë se ish-drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Agron Selimaj, nuk ka dhënë dorëheqje por është shkarkuar nga detyra pas keqpërdorimeve që ka bërë në këtë institucion. Ai tha se shkarkimi i tij ka ardhur pas një auditimi që ka bërë Naim Ibrahimaj, i cili sipas Konjufcës i ka zbuluar dy gjëra të rrezikshme për AKI-në.

“Naim Ibrahimaj është një zyrtar i rëndësishëm dhe shumë profesional. Ai ka zbuluar se në AKI janë keqpërdorur 246 mijë euro, kurse keqpërdorimi i dytë është se janë punësuar tetë persona pa asnjë test dhe pa konkurs. Kur e shohin çka ka ndodhur në AKI, vendoset të shkarkohet Agron Selimaj dhe auditori Naim Ibrahimaj”, është shprehur Konjufca.

Këtë deklaratë Konjufca e ka dhënë derisa po diskutohej për Agjendën për Reforma Evropiane (ARE) në Kuvendin e Kosovës. Pasi, sipas tij, kjo e shpjegon mënyrën e qeverisjes së keqe në Kosovë dhe në bazë të së cilës, sipas Konjufcës, nuk mund të pritet integrim i shpejt i Kosovës.

Kurse, ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, ka thënë se qëllimi i ARE-s është që të shërbejë si dokument formal në dialogun mes Kosovës dhe BE-së, që do t’i shtyjë përpara reformat e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

“Kjo synohet të arrihet duke i dhënë vëmendje politike reformave ekonomike, sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë. Kemi pasur konsultime ku kemi një listë prej 22 prioriteteve që do të zbatohen deri në fund të vitit 2017”, ka deklaruar Ahmetaj.

Ndërsa, deputetja e “Vetëvendosjes”, Donika Kadaj Bujupi, ka thënë se me këta zyrtarë të lartë institucionalë e me këtë strukturë qeverisëse nuk mund të presim që agjendat që janë shkruar nga të huajt të sjellin ndonjë ndryshim substancial.

“Derisa kemi këtë strukturë, këtë mendësi politike, Kosova do të vazhdojë të jetë e mbyllur dhe larg BE-së…Mustafa vazhdon t’u japë tenderë djemve për herë të dytë, që është në kundërshtim me praktikat evropiane. Si mund të flasë një kryeministër për reforma e në mënyrë të jashtëligjshme t’iu japë tenderë djemve të tij”, është shprehur Kadaj-Bujupi

I menjëhershëm ishte reagimi i shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, i cili i quajti shpifje të gjitha ato që u thanë nga Bujupi.

“Dua t’i them Kadajt, mundet të hyjë në webfaqe dhe t’i shoh raportet financiare, kjo është e pavërtetë. Asnjëherë nuk nisni fjalim pa tentuar të shpifni dhe të njollosni. Në emër të LDK-së kjo nuk qëndron. Kryeministri nuk jep tenderë. S’jam ai që e mbroj Mustafën, atë e mbron puna e tij. Nëse ka lëshime, me këto duhet me u marrë organet kompetente, dhe jo me u mundu me i njollos”, ka deklaruar Beqiri.

Më tej ai ka replikuar edhe me deputetin tjetër të “Vetëvendosjes”, Faton Topallin. Pasi Topalli dha kritika për pushtetin, Beqiri ka reaguar duke thënë se nuk do që të merret me deputetët që tri ditë janë në Prishtinë e 1 muaj në kurbet”.

Ndërsa Topalli ka reaguar duke thënë se ai i ka dy pasaporta, por jo dy fytyra si Ismet Beqiri.

Në këtë seancë janë miratuar disa projektligje në lexim të parë dhe disa tjera në lexim të dytë. Ndërsa për ditët në vijim ka mbetur të shqyrtohet Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes përkitazi me themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor, si dhe shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Themelimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor në mes Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë. Kurse, selitë e këtyre dy organizatave do të vendosen në Tiranë.

Të ngjashme